Një 36-vjeçar në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle u arrestua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale.
Lajmi konfirmohet nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha. Në bashkëpunim me homologët spanjollë, i riu Spartak Suca u lokalizua dhe u arrestua në qytetin e Shkodrës. Ai ishte në kërkim nga autoritetet spanjolle për akuzën e pjesëmarrjes në një organizatë kriminale të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.
Njoftimi:
Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Operacionalja 21”.
I akuzuar në Spanjë, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikim të lëndëve narkotike, kapet dhe vihet në pranga, me qëllim ekstradimin, 36-vjeçari.
Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve operacionale, me homologët e Policisë spanjolle, në kuadër të operacionit policor “Operacionalja 21”, u lokalizua në Shkodër, u kap dhe u vu në pranga shtetasi S. S., 36 vjeç, i lindur në Shkodër.
Ai ishte në kërkim ndërkombëtar sepse Gjykata e Tarragonas i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.
Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Madridin, për të finalizuar procedurat për ekstradimin e shtetasit S. S..
Top Channel