Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, shpjegoi se në Bruksel, si palës kosovare ashtu edhe asaj serbe ia bëri të qartë se normalizimi i marrëdhënieve nënkupton integrim në BE, dhe se dy proceset janë të ndërlidhura me njëri-tjetrin.
Sipas zyrtarit të lartë europian, se me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me atë të Serbisë, Petar Petkovic, kanë diskutuar për hapat drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa është përmendur “shtensionimi, përgjegjësia për sulmet e 2023-tës, riintegrimi i serbëve të Kosovës, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, njohje e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës”.
Këto pohime, Lajcak i bëri përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social X, një ditë pasi Kosova dhe Serbia përmbyllën me sukses negociatat për zbatimin e Deklaratës së vitit 2023 për Personat e Zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Lajçak e përshkroi dakordësinë për zbatimin e Deklaratës për të pagjeturit ishte “një hap i rëndësishëm që përfundimisht do të sjellë një përmbyllje për familjet”. Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta. I dërguari europian njoftoi po ashtu se Brukseli së shpejti do të jetë mikpritës i takimit të parë të një Komisioni të Përbashkët.
Bislimi pohoi se ky komision do të fillojë të merret me çështjet që i takojnë nga janari i 2025-tës. Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje më 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, por zotimet e marra aty nuk u vunë asnjëherë në jetë.
Top Channel