Gjigantët japonezë të automjeteve, Nissan Motor Corporation dhe Honda Motor Company janë duke zhvilluar bisedime mbi një bashkim të mundshëm të tyre, mesrritjes së ndjeshme të konkurrencës nga ana e prodhuesve të makinave elektrike (EV), veçanërisht atyre në Kinë.
Eksplorimin e një partneriteti të mundshëm mes tyre, dy kompanitë e kishin nënkuptuar që në muajin mars. Pas lajmit të fundit, çmimi i aksioneve të Nissan-it në Tokio u rrit me mbi 22 për qind, ndërsa ato të Hondës pësuan nga ana tjetër rënie me 3 për qind.
Nëse shkrirja ndodh vërtet, dy kompanitë mund të krijojnë grupin e tretë më të madh prodhues të automjeteve në botë. Sipas raportimeve, anëtari i aleancës Nissan, Mitsubishi Motors Corporation, është, po ashtu, i përfshirë në bisedime.
Që të tre prodhuesit japonezë të automjeteve e kanë lënë të kuptohet se planifikojnë të ndajnë me njëri-tjetrin përbërës për automjete elektrike, si bateritë, dhe të punonin bashkërisht për programet për ngasje autonome, për t’iu përshtatur më mirë ndryshimeve dramatike në industrinë e automjeteve, të përqendruara rreth elektrifikimit.
Një bashkim i kompanive mund të rezultojë në një gjigant me vlerë prej rreth 55 miliardë dollarësh, bazuar në vlerën në treg të të gjithë tre prodhuesve të automjeteve.
Bashkimi i forcave do t’i ndihmonte dy kompanive të rrisnin peshën për të garuar me liderin japonez të tregut, Toyota Motor Corporation, dhe me Volksëagen AG-në e Gjermanisë.
Top Channel