Pasi humbi garën për Topin e Artë, ylli i Real Madridit, Vinicius Jr, shpallet lojtari më i mirë në botë në çmimet e “FIFA The Best 2024”.
Sulmuesi 24-vjeçar do t’i bashkohet bashkëkombësve të tij Romarios, Ronaldos, Rivaldo, Ronaldinho dhe Kaka si lojtarët brazilianë të cilët kanë fituar këtë çmim. Vinicius është braziliani i parë që fiton nga viti 2007.
Sezonin e kaluar Vinicius fitoi Champions League dhe La Liga me Real Madridin. Ai ishte pa dyshim lojtari më i rëndësishëm për “Los Blancos” gjatë sezonit 2023/24 duke luajtur 39 ndeshje, ku shënoi 24 gola dhe kontribuoi me 11 asistime.
Vinicius mori pjesë në ceremoni ku ju dorëzua çmimi nga Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino. Kujtojmë se ai vendosi të mos ishte pjesë e ceremonisë se “Ballon D’or” pasi mësoi se nuk ishte fituesi i çmimit prestigjioz nga France Football.
Ndërkohë u shpall edhe formacioni më i mirë i vitit “FIFA The Best XI 2024”. Në portë titani i Aston Villa, Emi Martinez, i ndjekur nga katërshja mbrojtëse, William Saliba, Ruben Dias, Antonio Rudiger dhe Dani Carvajal. Mesfusha përbëhet nga Jude Bellingham, Toni Kroos dhe fituesi i Topit të Artë Rodri. Vija sulmuese udhëhiqet nga golashënuesi më i mirë i sezonit Erling Haaland në qendër, Vinicius Jr në të majtë dhe 17-vjeçari Lamine Yamal në të djathtë.
Çmimi i trajnerit të vitit i shkoi teknikut italian, Carlo Ancelotti, pas sezonit të tij të suksesshëm me Real Madrid.
Top Channel