Turqia “i nxjerr dhëmbët” Izraelit: Ne s`hamë bar, kërkon të marrë Lartësitë Golan!

16/12/2024 14:07

Ministria e Jashtme turke e denoncoi me forcë planin izraelit për zgjerimin e vendbanimeve në Lartësitë e aneksuara Golan dhe dyfishimin e popullsisë që jeton në këtë zonë.

Për Ankaranë zyrtare, bëhet fjalë për një përpjekje të qartë të shtetit hebre për të zgjeruar kufijtë e tij. “ Kjo është një fazë të re në objektivin e Izraelit për të zgjeruar kufijtë e tij përmes pushtimit”, thuhet në deklaratë, ku nënvizohen veprimet e fundit izraelite në rajon, përfshirë shkeljen e marrëveshjes së vitit 1974 me hyrjen e forcave të tij në zonat neutrale dhe sulmet ajrore në Siri.

“Këto veprime të vazhdueshme nga Izraeli minojnë seriozisht përpjekjet për të sjellë paqe dhe stabilitet në Siri dhe përshkallëzojnë më tej tensionet në rajon”, nënvizon ministria e jashtme turke, e cila i bën thirrje nga ana tjetër edhe komunitetit ndërkombëtar të reagojë e të ndalë hapat e paligjshëm të ndërmarrë nga qeveria e Benjamin Netanyahut. Me rënien e regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad trupat izraelite u zhvendosën në një zonë të çmilitarizuar brenda Sirisë, e cila u krijua pas luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1973.

Izraeli e cilësoi këtë inkursion si një masë të përkohshme për garantimin e sigurisë kufitare. Lartësitë Golan kanë qenë pjesë e Sirisë deri në vitin 1967, kur shteti hebre mori nën kontroll pjesën më të madhe të rrafnaltës gjatë asaj që njihet si Lufta Gjashtëditore. Paskësaj, në 1981-shin pushtoi dhe e aneksoi në mënyrë të njëanshme.

Ky aneksim nuk u njoh nga shumica e vendeve të botës. Siria vazhdoi të mbante një pjesë të Golanit dhe kërkonte që Izraeli të tërhiqej nga pjesa tjetër e tij, por ky i fundit ka refuzuar me pretekstin e shqetësimeve të sigurisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA