Mbetet mister shkaku dhe autori i vrasjes së biznesmenit nga Saranda në Greqi, shqiptari tjetër në gjendje kritike për jetën

16/12/2024 11:58

Hetuesit grekë i kanë të gjithë pistat në tavolinë për shkaqet e vrasjes së 47-vjeçarit shqiptar Irakli Davella në Greqi një ditë më parë.

Llogaritë e hapura nga e kaluara apo aktivitetet e paligjshme mendohet të jenë dy drejtimet ku janë fokusuar hetimet për atentatin e djeshëm ku mbeti i plagosur edhe një tjetër shqiptar, Edi Lulo.

Viktima, baba i dy fëmijëve me origjinë nga Saranda, ka pasur një të kaluar me predencentë penalë.

“Kanë kaluar shumë vite që nga viti 2011 kur emri i tij u përfshi në dosje për rastet e zhvatjes si dhe mashtrimit dhe falsifikimit. Gjatë gjithë kësaj kohe nuk kishim informacion nëse ai po vazhdonte jetën e tij të përfshirë në aktivitete të paligjshme”, ka deklaruar për mediat greke një oficer që merret me rastin.

Vitet e fundit, 47-vjeçari mësohet se ishte pronar i një kafeneje në zonën e Agios Ierotheos në Peristeri, ndërsa kafeneja në Thrakomakedones, në afërsi të së cilës u vra dje, ishte një strehë ku ai shkonte.

Autorët duket se kanë qenë në dijeni të lëvizjeve të tij, kanë zgjedhur pikërisht këtë pike për ta qëlluar me dy plumba në kokë që i morën jetën në vend.

Sipas informacioneve, prej mesditës së djeshme pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Atikë kanë mbërritur informacione të ndryshme për viktimën, të cilat po kontrollohen dhe vlerësohen.

Autoritetet janë në kërkim të autorit, por deri më tani pa rezultat. Rruga e arratisjes së tyre është e rëndësishme për vijimin e hetimeve dhe gjithashtu për identitetin e tyre.

Ndërkohë, 44-vjeçari që ndodhej me viktimën vazhdon të jetë i intubuar në reanimacionin e spitalit KAT dhe ka një plagë të rëndë me plumb në kokë.

Mjekët thonë se shëndeti i tij është në gjendje kritike dhe sigurisht që do të duhet shumë kohë derisa ai të japë një deklaratë në polici.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA