“Politika ekstreme të Qeverisë së Dublinit”, Izraeli mbyll ambasadën në Irlandë

15/12/2024 18:37

Ministria e Jashtme e Izraelit ka bërë të ditur të dielën se do të mbyllë ambasadën në Irlandë, duke cituar “politika ekstreme kundër Izraelit” të Qeverisë së Dublinit, dhe duke tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Lidhjet diplomatike mes Irlandës dhe Izraelit janë përkeqësuar pas një serie të vendimeve të Irlandës, përfshirë njohjen e shtetit palestinez dhe përkrahjen që ka dhënë në rastin e dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për të akuzuar Izraelin për kryerje të “gjenocidit” në Rripin e Gazës.

Irlanda është në mesin e vendeve që kritikon më së shumti Izraelin për përgjigjen e vendit ndaj sulmit të 7 tetorit të vitit 2023, të kryer nga militantët e Hamasit në tokën izraelite, që ka lënë mbi 1.200 të vdekur.

Hamasi është grup palestinez që udhëheq Gazën, i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Pas sulmit të Hamasit, Izraeli ka nisur ofensivë ushtarake në Gazë, me qëllim të shkatërrimit të grupit. Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë mbi 45.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

“Vendimi për të mbyllur Ambasadën e Izraelit në Dublin është marrë për shkak të politikës ekstreme të Qeverisë irlandeze kundër Izraelit”, është thënë në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.

“Irlanda e ka kaluar secilën vijë të kuqe në marrëdhëniet me Izraelin”.

Kryeministri irlandez, Simon Harris, e ka konsideruar vendimin e Izraelit për mbyllje të ambasadës si “tejet fatkeqe”.

“E kundërshtoj ashpër vlerësimin se Irlanda është kundër Izraelit. Irlanda është për paqe, për të drejta të njeriut dhe pro ligjit ndërkombëtar”, ka thënë ai në një postim në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

Në nëntor, kryeministri i Irlandës, Simon Harris, ka thënë se autoritetet shtetërore do ta arrestonin homologun e tij izraelit, Benjamin Netanyahun, nëse ai udhëton në Irlandë, pas fletarrestimit të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për të.

Kjo Gjykatë ka lëshuar fletarrestime për Netanyahun dhe ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant për “krime kundër njerëzimit dhe krime lufte”, të kryera prej 8 tetorit 2023 deri në maj të këtij viti në Rripin e Gazës.

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, ka thënë se Izraeli do të investojë në ndërtimin e lidhjeve me shtetet tjera dhe të dielën ka bërë të ditur për hapjen e ambasadës në Moldavi. /REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA