Parlamenti i Koresë së Jugut fajëson presidentin, pezullohet nga të gjitha detyrat

14/12/2024 09:45

Parlamenti i Koresë së Jugut ka votuar të shtunën për të fajësuar presidentin e vendit, Yoon Suk Yeol, duke e pezulluar atë nga detyra zyrtare, për shkak të tentimit të tij jetëshkurtër për të shpallur gjendje lufte, një javë më parë.

Parlamenti ka votuar me 204 vota për fajësimin e tij dhe 85 kundër.

Fuqitë e tij presidenciale do të pezullohen derisa një kopje e dokumentit për fajësimin e tij t’i dorëzohet atij dhe Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata ka afat prej 180 ditësh për të vendosur nëse duhet shkarkuar Yoon-in nga pozita e presidentit, apo për t’ia rikthyer pushtetin.

Nëse rrëzohet nga detyra, zgjedhjet për pasardhësin e tij duhet të mbahen brenda 60 ditësh.

Dhjetëra mijëra njerëz kanë ndalë nëpër rrugët e kryeqytetit, Seul, për çdo natë në dy javët e fundit, duke bërë thirrje për rrëzimin e Yoon-it nga pushteti dhe arrestimin e tij.

Shpallja e gjendjes së luftës, e para e këtij lloji pas më shumë se katër dekadave në Korën e Jugut, ka zgjatur vetëm gjashtë orë, mirëpo ka nxitur trazira të mëdha politike e diplomatike, dhe ka shkundur tregjet financiare.

Yoon është detyruar të tërheqë masën pas kundërshtimeve të mëdha parlamentare.

Partitë opozitare dhe shumë ekspertë e akuzojnë presidentin për rebelim.

Atij i është ndaluar largimi nga Koreja e Jugut, përderisa autoritetet për zbatim të ligjit janë duke kryer hetime nëse ai dhe personat tjerë të përfshirë në deklarimin e gjendjes së luftës kanë kryer rebelim, abuzim me pushtetin apo krime tjera.

Yoon ka imunitet presidencial nga ndjekja penale, mirëpo ajo nuk vlen kur bëhet fjalë për dyshimet për rebelim apo tradhti.

Yoon mund të hetohet, ndalohet, arrestohet dhe dënohet për shpalljen e dekretit për gjendje lufte, mirëpo disa vëzhgues dyshojnë që ai mund të arrestohet me forcë, për shkak të potencialit të përleshjeve me shërbimin presidencial të sigurisë./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA