Ligjvënësit gjeorgjianë kanë zgjedhur Mikheil Kavelashvilin, një kritik të ashpër pro-rus dhe anti-perëndimor, si presidentin e ri të vendit.
Kavelashvili, një ish-futbollist profesionist, mban pikëpamje të forta kundër Perëndimit. Në fjalime publike këtë vit, ai ka pohuar në mënyrë të përsëritur se agjencitë perëndimore të inteligjencës po përpiqen ta shtyjnë Gjeorgjinë në luftë me Rusinë.
Presidentët e Gjeorgjisë zgjidhen nga një kolegj elektoral i përbërë nga deputetë dhe përfaqësues të qeverive lokale. Nga 225 elektorë të pranishëm, 224 votuan për Kavelashvilin, i cili ishte i vetmi kandidat i nominuar.
Ky kombi i Detit të Zi është përfshirë në trazira që nga fitorja e kontestuar e partisë në pushtet, “ëndrra Gjeorgjiane”, në zgjedhjet parlamentare të tetorit.
Vendimi i partisë muajin e kaluar për të shtyrë bisedimet për anëtarësimin në BE ka shkaktuar një valë të re protestash masive.
Opozita e ka dënuar zgjedhjen e së shtunës si “jolegjitime” dhe ka deklaruar se presidentja në detyrë, Salome Zurabishvili, mbetet liderja e vetme legjitime e vendit.
Zurabishvili, pro-perëndimore dhe në konflikt me partinë në pushtet, ka refuzuar të japë dorëheqjen dhe po kërkon zgjedhje të reja parlamentare, duke krijuar kështu një përplasje kushtetuese.
Të shtunën në mëngjes, protestuesit filluan të mblidheshin jashtë godinës së parlamentit, e cila ishte rrethuar nga forcat e policisë.
Protestuesit ndanin çaj për t’u ngrohur në mëngjesin e ftohtë, ndërsa afër ishin të parkuara makinat me ujë, raportoi një gazetar i AFP-së.
“Gjeorgjia kurrë nuk humbet sensin e humorit, duke festuar zgjedhjen e një futbollisti si president,” shkroi Zurabishvili në rrjetet sociale.
Ajo ndau pamje të protestuesve që luanin futboll në borë – një ironi e qartë ndaj Kavelashvilit.
Një nga protestuesit, Natia Apkhazava, 40 vjeç, tha se kishte ardhur herët “për të mbrojtur të ardhmen tonë evropiane”.
“Zgjedhjet tona parlamentare u manipuluan. Ne kemi nevojë për zgjedhje të reja,” tha ajo.
“Ne kemi protestuar këtu prej 16 ditësh… dhe do të vazhdojmë të luftojmë për të ardhmen tonë evropiane.”
Protesta janë planifikuar të zhvillohen në një duzinë vendndodhjesh të ndryshme në Tbilisi.
Top Channel