Vendosi ligjin ushtarak që u rrëzua brenda pak orësh, policia e Koresë së Jugut bastis zyrën e presidentit Yoon

11/12/2024 08:01

Policia e Koresë së Jugut ka bastisur zyrën e presidentit Yoon Suk Yeol, mbi rolin e tij në shpalljen e ligjit ushtarak javën e kaluar, një veprim që e zhyti ekonominë e katërt më të madhe të Azisë në krizë dhe shkaktoi alarm tek aleatët e saj.

Agjencia e lajmeve vendase raportoi se kërkimi ishte pjesë e një përpjekjeje nga agjencitë e zbatimit të ligjit për të përcaktuar nëse veprimet e Yoon, të mbështetur nga figura të tjera të larta në administratën e tij, përbënin kryengritje një krim që nuk mbart imunitet presidencial dhe mund të mbartë dënim me vdekje.

Një njësi e posaçme hetimore konfirmoi se bastisi zyrën presidenciale dhe agjenci të tjera.

“Ekipi special i hetimit ka kryer një bastisje në zyrën presidenciale, Agjencinë Kombëtare të Policisë, Agjencinë e Policisë Metropolitane të Seulit dhe Shërbimin e Sigurisë së Asamblesë Kombëtare”, thanë hetuesit.

Lajmi për bastisjen erdhi pasi zyrtarët thanë se ish-ministri i mbrojtjes i Yoon, Kim Yong-hyun, kishte tentuar vetëvrasjen ndërsa ishte në paraburgim në një qendër paraburgimi në Seul, ku mbahej që nga e diela.

Kim u bë personi i parë i arrestuar për dekretin e ligjit ushtarak të 3 dhjetorit dhe tani përballet me akuza, duke përfshirë “angazhim në detyra kritike gjatë një kryengritjeje” dhe “shpërdorim të autoritetit për të penguar ushtrimin e të drejtave”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA