Rënia e regjimit të Assadit, përse udhëheqësi suprem i Iranit akuzon SHBA-në dhe Izraelin: Komploti kryesor…

11/12/2024 12:04

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka hedhur akuza të forta ndaj SHBA-së dhe Izraelit, duke pretenduar se qëndrojnë pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad në Siri.

Pjesë e këtyre akuzave është edhe Turqia, ku sipas Ayatollah Ali Khamenei ata kanë gisht në këtë ngjarje. Në komentet e raportuara nga agjencia iraniane e lajmeve Tasnim, Khamenei citohet të ketë thënë:

“Nuk duhet të ketë dyshim se ajo që ndodhi në Siri është produkt i një plani të përbashkët amerikan dhe sionist.

Po, një qeveri fqinje e Sirisë luan, ka luajtur dhe po luan një rol të dukshëm në këtë drejtim – të gjithë e shohin këtë, por komploti kryesor, organizatori dhe qendra komanduese janë në Amerikë dhe në regjimin sionist.

Ne kemi prova. Kjo dëshmi nuk lë vend për dyshim”.

Regjimi i Assadit në Siri ra më 8 dhjetor, kur pushtetin e mori organizata Hayat Tahrir al-Sham (HTS) – e shpallur terroriste nga SHBA-ja.

Përmbysja e tij shihet si një goditje e madhe ndaj aleancës politike dhe ushtarake të “Boshtit të rezistencës”, të udhëhequr nga Irani.

Kjo aleancë kundërshton ndikimin e Izraelit dhe të SHBA-së në Lindjen e Mesme.

Irani shpenzoi miliarda dollarë për ta mbështetur Assadin gjatë luftës civile në Siri, që ka shpërthyer në vitin 2011, dhe ka dislokuar Gardën e tij Revolucionare në këtë vend për ta mbajtur aleatin e tij në pushtet.

Disa orë pas rënies së Assadit, Irani tha se pret që marrëdhëniet me Damaskun të vazhdojnë bazuar në “qasjen largpamëse dhe të mençur” të të dyja vendeve dhe bëri thirrje për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse që përfaqëson të gjitha segmentet e shoqërisë siriane.

Në anën tjetër, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se do të angazhohet me të gjitha grupet siriane “për të krijuar një rrugë tranzicioni nga regjimi i Assadit drejt një Sirie të pavarur dhe sovrane”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA