Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës është vlerësuar me Çmimin Ndërkombëtar të Ekselencës për vitin 2024 nga Shoqëria Evropiane për Cilësinë e Kërkimit, një organizatë prestigjioze me seli në Zvicër.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u mbajt në Vjenë, ku UAMD u rendit ndër 144 institucione nga mbarë bota, duke u bërë institucioni i parë shqiptar që fiton këtë çmim.
Ky çmim iu dha universitetit për “praktikat e tij të avancuara, ekselencën në mësimdhënie, inovacionin, arritjet cilësore dhe strategjitë e suksesshme që ka ndjekur”. Ndër laureatët e mëparshëm të këtij çmimi janë universitete dhe institucione të njohura nga SHBA, Britania, Gjermania, Japonia dhe shumë vende të tjera.
Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, gjatë fjalës së tij në ceremoni, theksoi se ky çmim është një mirënjohje e rëndësishme për angazhimin e përbashkët të stafit akademik dhe administrativ të institucionit. Ai shtoi se ky sukses vjen si rezultat i ndjekjes së strategjive akademike kombëtare dhe ndërkombëtare, të mbështetura nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
“Ky çmim na inkurajon të vazhdojmë misionin tonë për rritjen e cilësisë, lidershipit dhe inovacionit në fusha të ndryshme akademike. Jemi të përkushtuar për të ofruar një edukim cilësor, duke përgatitur studentët tanë si liderë të së ardhmes”, tha Fortuzi.
Universiteti “Aleksandër Moisiu” është i njohur për përqendrimin e tij në ndërkombëtarizimin dhe zhvillimin e metodave inovative të mësimdhënies. Ky angazhim ka kontribuar në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë dhe në zgjerimin e ndikimit të tij në rajon dhe më gjerë.
Në ceremoni mori pjesë edhe Ambasadori i Shqipërisë në Vjenë, Fate Velaj, i cili shprehu mbështetjen dhe entuziazmin për këtë arritje.
Top Channel