Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se do ta emërojë kryeministrin e ardhshëm francez në ditët në vijim.
Gjatë fjalimit publik pas rrëzimit të kryeministrit Michel Barnier, Macron është zotuar se do ta kryejë punën e presidentit deri në fund të mandatit dhe nuk ka ndërmend të dorëhiqet.
Macroni ka sulmuar të majtët dhe të djathtët që votuan për rrëzimin e qeverisë, duke i cilësuar si “grupe politike që kanë zgjedhur kaosin”.
Sipas tij, qeveria duhet të punojë së bashku për t’i tejkaluar sfidat me të cilat përballet vendi, duke theksuar se Franca duhet të rindërtohet. “Unë do t’i jap udhëzime kryeministrit të ardhshëm për të formuar një qeveri të interesit të përgjithshëm, e cila do të jetë e përbërë nga të gjitha forcat politike”, tha Macron.
Presidenti konfirmoi se Franca nuk mund të ketë zgjedhje të reja parlamentare për 10 muaj, pas zgjedhjeve të parakohshme në korrik. Barnier kishte marrë punën e kryeministrit tre muaj më parë.
“Në ditët e ardhshme do të emëroj një kryeministër të ri. Më duhet të pranoj se vendimi për shpërndarjen e Asamblesë Kombëtare më 9 qershor nuk u kuptua mirë nga populli. E djathta ekstreme dhe e majta ekstreme janë bashkuar në një front anti-republikan. E di mirë që dikush tundohet të më bëjë përgjegjës për këtë situatë”, deklaroi Makron.
Në fund presidenti francez njoftoi edhe se “një ligj i posaçëm do të paraqitet në Parlament deri në mes të dhjetorit, i cili do të lejojë në mënyrë të përkohshme, siç parashikohet nga Kushtetuta, vazhdimësinë e shërbimeve publike dhe jetën e vend”. Macron shtoi se ky ligj special “do të garantojë zgjedhjet për vitin 2025”.
Top Channel