Qindra protestues kundërshtojnë ushtrinë dhe ‘gjendjen e jashtëzakonshme’ të shpallur në Korenë e Jugut (fotot)

03/12/2024 18:58

Qindra protestues u mblodhën sot para parlamentit të Koresë së Jugut për të protestuar ndaj shpalljes së papritur të gjendjes së emergjencës ushtarake, nga presidenti dhe ndalimin e jetës politike të vendit.

Yoon Suk Yeol kishte shpallur më herët gjendje emergjence, duke akuzuar opozitën si “forcë anti-shtetërore”, si dhe duke thënë se “po mbronte vendin nga kërcënimet e Veriut”.

Banorët në Seul u shtangën pak më vonë kur ushtria shpalli “ndalimin e të gjitha aktiviteteve politike dhe helikopterë ushtarakë u panë që uleshin rreth parlamentit.

Trupa ushtarake hynë për pak kohë në ndërtesën e parlamentit ndërsa qindra protestues dolën para parlamentit duke brohoritur “Arrestoni presidentin Yoon Suk Yeol!” si dhe duke u konfrontuar me forcat e sigurisë.

Deklarata e habitshme e Yoon është e para e këtij lloji në më shumë se 40 vjet në Korenë e Jugut, dhe vjen teksa partia e tij ka debatuar ashpër me opozitën për buxhetin e vitit që vjen, ku qeveria kërkon shkurtime të shpenzimeve.

“Po shpall gjendjen e emergjencës ushtarake për të çliruar Korenë e Jugut nga kërcënimet e Koresë së veriut dhe për të eliminuar elementët anti-shtet në vend”, kishte thënë më herët  në televizion presidenti Yoon, pa cilësuar se cilat ishin kërcënimet nga Veriu.

“Partia e opozitës po paralizon qeverisjen vetëm për paditë dhe hetimet speciale, për të mbrojtur liderin e tyre nga drejtësia”, shtonte presidenti sipas agjencisë vendase Yonhap.

Rreth 190 deputetë hynë sot në parlament dhe votuan unanimisht për anulimin e ligjit të emergjencës ushtarake, por nuk është e qartë nëse kjo do të respektohet, shkruan rrjeti AFP.

Presidenti gjithashtu quante opozitën, e cila ka tashmë shumicën në parlamentin me 300 vende, “forca anti-shtet që duan të përmbysin regjimin”.

FOTO GALERI
2/5
Qindra protestues dolën para parlamentit duke brohoritur "Arrestoni presidentin Yoon Suk Yeol!"

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA