Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka ripërsëritur se dënojnë ashpër sulmin që ndodhi në kanalin e Ibër-Lepencit mbrëmjen e së premtes.

Hovenier ka thënë se SHBA-ja mbështet autoritetet kosovare në kryerjen e hetimeve, dhe se ende është herët të dihet se kush është përgjegjës.

“Sapo përfunduam takimin me kryeministrin Albin Kurti ku diskutuam më shumë rreth sulmit që ndodhi të premten mbrëma. Ajo që mund të them dhe po e ripësëris është që ne dënojmë fuqishëm këtë sulm mbi infrastrukturën kritike të Kosovës”, ka thënë Hovenier.

Ai ka shtuar se autorët e këtij akti duhet të gjenden dhe të mbahen përgjegjës.

“SHBA mbështet autoritetet kosovare dhe ky proces kërkon hetim të kujdesshëm që autorët të gjenden dhe të mbahen përgjegjës. Këto akte dhune janë të patolerueshme dhe rrezikojnë qytetarët…”, tha Hovenier.

I pyetur se a qëndron Serbia prapa këtij akti, Hovenier u shpreh se “në këtë pikë nuk mund të themi asgjë”.

“Në këtë pikë SHBA nuk është në pozitë që të thotë se kush qëndron prapa këtij sulmi. Ne kemi ofruar mbështetjen tonë autoriteteve kosovare për hetimet dhe që autorët të gjenden sa më parë. Nuk jemi në pozitë të spekulojmë për ndonjë grup specifik ose shtet, është ende herët”, u shpreh ambasadori amerikan.

Ndërkaq shefi i Zyrës së BE-së, Avio Orav ka përsëritur thirrjen e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili ka dënuar ashpër sulmin e 29 nëntorit në Ibër Lepenc, dhe e ka quajtur sabotazh e akt terrorist.

Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Orav nuk tha asgjë më tepër për mediat, vetëm se thirrja e Borrellit ishte e qartë, dhe se u njoftuan me zhvillimet e fundit mbi sulmin e të premtes mbrëma.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA