Profesori i kriminalistikës Ervin Karamuço, i ftuar në Top Story në një diskutim për sulmin në veri të Kosovës, ku shpërtheu një kanal ujësjellës, tha se ky akt terrorist mund të ndodhte edhe në vendin tonë.
Duke krahasuar situatën, eksperti përmendi rusët që u kapën në Shqipëri, Svetlana Timofoeva dhe Mikhail Zorin, të akuzuar si spiunë pasi u kapën duke fotografuar Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh.
“Kjo që ka ndodhur në Kosovë heq një paralele me atë që ndodhi në Shqipëri. Ata spiunë rusë që filmuan me dron digën e Bovillës, një strukturë kritike. Ata e kanë studiuar, planin e kanë njësoj. Aty e kanë më të lehtë se kanë njerëz të gatshëm”, tha ai.
Karamuço tregon se Rusia ka në fokus vendet e Europës, ku përfshihet edhe Shqipëria e Kosova, për të kryer akte të tilla, duke prishur sigurinë dhe qetësinë e këtyre vendeve.
“Ka filluar plani në Angli me shpërthimin e depove të mëdha të predispozuara për në Ukrainë, shpërthime në Baltik, të një avioni me ndihma. Kemi telefonata pafund në Evropë për vendosje bombash dhe në Çeki në rrjetin e trenave”, tha eksperti.
Top Channel