Robert F. Kennedy Jr. ka treguar sërish muskujt e mprehtë gjatë një sesioni gjysmë i zhveshur stërvitjeje, duke thënë me ironi se “po përgatitej për seancën e konfirmimit në postin e shëndetësisë” me administratën e presidentit të zgjedhur Donald Trump.
Në një video të shikuar më shumë se 3.4 milionë që prej postimit të dielën, pinjolli i familjes së famshme presidenciale Kennedy, megithse 70-vjeçar shihet që përballon stërvitje të ashpër fizike teksa tregon rutinat e tij në palestrën Gold’s Gym në Venice, Kaliforni.
Bashkë me ndihmësin e stërvitjes, Kennedy bën pompa të forta në paralele dhe hekur tek, si dhe palosje të vështira që kryhen zakonisht nga atletët profesionistë, komenton rrjeti vendas New York Post.
R.F. Kennedy është njohur më parë ai aktivist anti-vaksina duke denoncuar lëndimet e vdekjet që sipas tij ato kanë shkaktuar në SHBA dhe vende të tjera. Ai është shprehur kundër çdo lloj vaksine teksa sipas tij, sëmundja e autizmit është një pasojë e injeksioneve ndaj fëmijëve.
Kennedy është një avokat që për dekada me radhë ka krijuar një bazë të gjerë mbështetësish që e admirojnë punën e tij për mjedisin, duke ngritur padi kundër kompanive farmaceutike dhe atyre të plehrave kimike që përdoren në bujqësi, që sipas tij kanë lënduar rëndë shëndetin e njerëzve. Ai ka bërë thirrje për rregulla më të rrepta lidhur me përbërësit në artikujt ushqimor.
Ndërsa u përfshi në fushatën e republikanit Donald Trump, Kennedy u përpoq të fitonte mbështetjen e nënave të reja, me mesazhin për ushqime më të shëndetshme në Shtetet e Bashkuara. Ai premtoi se do të ndiqte shembullin e rregullave evropiane për ushqimet, duke krijuar sloganin “Ta Bëjmë Amerikën të Shëndetshme Përsëri”.
Qëndrimi i Kennedy ndaj vaksinave e ka bërë atë një figurë të debatueshme mes demokratëve dhe disa republikanëve, çka ngre pikëpyetje në lidhje me mundësinë e marrjes së konfirmimit në Senatin e kontrolluar nga republikanët.
Top Channel