Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e ka bërë një vizitë të papritur të hënën në Ukrainë, për të rikonfirmuar mbështetjen e Berlinit ndaj Kievit, teksa lufton pushtimin rus.
Ai është zotuar për t’i ofruar Ukrainës ndihmë ushtarake shtesë në vlerë të 650 milionë eurove, dhe ka thënë se armët do të arrijnë në Kiev deri në fund të vitit.
“Kam udhëtuar me tren drejt Kievit përgjatë natës, drejt një vendi që po mbron veten kundër agresionit rus për më shumë se 1.000 ditë”, ka thënë Scholz përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
Ai ka thënë përmes një deklarate se “Ukraina e ka mbrojtur veten në mënyrë heroike kundrejt luftës agresive të Rusisë”.
“Përmes rikthimit tim këtu në Kiev, dua të shpres solidaritetin tim me Ukrainën”, ka thënë Scholz, i cili përballet me zgjedhje të reja në shkurt.
“Dua ta bëj të qartë prej këtu që Gjermania do të mbetet mbështetësja më e madhe evropiane e Ukrainës”.
Ai ka thënë se “Ukraina mund të mbështetet te Gjermania”.
Kjo vizitë është realizuar vetëm disa javë pasi Scholz është kritikuar ashpër nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky për një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin.
Kjo thirrje telefonike është zhvilluar në kohën e spekulimeve se çfarë do të thotë për Ukrainën udhëheqësia e re amerikane që nis punën në janar.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /rel
Top Channel