Shtetet e Bashkuara e dënuan sulmin e së premtes në kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës.
Në një deklaratë të publikuar nga ambasadori amerikan Jeff Hovenier, thuhet se Shtetet e Bashkuara e dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit “në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës. Ne jemi duke e ndjekur situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”.
Shpërthimi në kanalin furnizues ndodhi pak kohë pas njoftimeve se policia e Kosoveës shtoi masat e sigurisë për shkak të disa shpërthimeve që ndodhën gjatë javës në veriun e banuar me shumicë serbe.
“Ne gjithashtu dënojmë sulmet e fundit me granata në stacionin policor të Zveçanit më 26 nëntor dhe në ndërtesën e komunës së Zveçanit më 28 nëntor. Këto veprime të dhunshme nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe ata që janë përgjegjës për këto sulme kriminale kundër autoriteteve legjitime të Republikës. Së Kosovës duhet të mbahen përgjegjës”, thuhet në reagimin e ambasadorit Hovenier në të cilin theksohet se Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojnë të solidarizohen me popullin dhe Qeverinë e Kosovës përballë sulmeve të tilla kriminale”.
Zyra e BE-së në Kosovë, dënon sulmin në Zubin Potok
“E dënoj sulmin në kanalin e ujit në Zubin Potok që po lë pjesë të konsiderueshme të Kosovës pa furnizim më ujë”, tha në një reagim shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Aivo Orav.
Ai shkroi në rrjetet sociale se tashmë u ka ofruar autoriteteve të Kosovës ndihmën e BE-së duke nënvizuar se “ngjarja duhet të hetohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë”./ VOA
Top Channel