Në Delvinë thahet burimi, dy orë udhëtim për të transportuar ujin

30/11/2024 13:42

Rreth 300 banorë të fshatit Bajkaj në Delvinë prej një muaji nuk furnizohen me ujë të pijshëm.

Tharja e burimit të Vrizit ka lënë pa ujë dy fshatra të kësaj zone ndërsa gjysma e banorëve janë të moshuar dhe e kanë të pamundur të sigurojnë ujë nga burimet e tjera të zonës.

Rreth 2 orë çdo ditë banorët e Bajkajt merren me transportin e ujit nga Delvina  me mjete, kafshë transporti dhe krahë.

Banorët:

“Nuk kemi ujë fare. Ja këtu e kam shtëpinë. Ashtu jemi pa ujë, vajtëm nja dy muaj. Hiç asgjë me të blerë.”

“Po ja na u tha burimi dhe s’kemi, jemi keq për ujë.”

” Me ujë shiu, pimë nga ai se nuk dalim dot nuk marrim dot. Vajtëm që në tetor, me të keq, me kova, me krahë.”

“Si ja bën për bagëtitë? Hiç i lë atje në vathë. Nuk pinë fare. Ne s’kemi ujë për veten tonë. Dimë gjë ne , thonë që është tharë burimi. Vajtëm një muaj e gjysmë a dy muaj pa ujë. “

“Ujin vemi e marrim në Delvinë. Vete djali, mbush 10 pagurë dhe ashtu shtyhemi.”

Kryetari i fshatit thotë se situata përsëritet çdo vit përgjatë 5-vjeçarit të fundit por ky vit ka qenë më i vështiri që ka jetuar gjithë zona për shkak të verës së nxehtë dhe thatësirës së gjatë. Ata kanë pritur që Drejtoria Rajonale e Ujësjellësit në Sarandë ta zgjidhte situatën vitin e kaluar dhe sërish kanë marrë premtime se investimi do të nisë vitin e ardhshëm.

“Vajtëm ca vite që po na thahet burimi në tetor, nëntor, dhjetor. Problemin kemi kohë që e kemi ngritur. Na kanë premtuar që do hapin një pus. Atë pus e duam për nja dy muaj. Na premtuan vjen por akoma se kanë bërë. Banorët ndihmojnë njëri-tjetrin. Ata që kanë puse çojnë edhe tek të tjerët por ka edhe familje që sja dalin dot. Më shumë problem është edhe blegtoria se ne jemi fshat blegtoral dhe detyrohen bagëtia të nisen nga fshati e të venë në lumë por që të vesh në lumë ne nuk kemi as nënkalim. Kalojnë autostradën dhe rrezikohen njerëzit.”

Banorët e Bajkajt  detyrohen të përdorin për nevojat bazike ujin e përrenjve dhe pellgjeve dhe të gjitha banesat kanë ndërtuar një sistem të thjeshtë për të grumbulluar ujin e shiut. Një pjesë e vogël e fshatit ka investuar në puse private por as ky ujë nuk është testuar që është i pijshëm. Deri sa të nisë periudha e reshjeve fshati do të vijojë të mbartë ujë çdo ditë jo vetëm për njerëzit por edhe për bagëtitë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA