Pas incidenteve të fundit në veri të vendit, ku u sulmuan me granata dore stacioni policor dhe objekti i komunës në Zveçan, Policia e Kosovës tha se do të shtojë masat e sigurisë.
Në deklaratë thuhet se Policia e Kosovës ka shtuar masat e sigurisë në të gjithë territorin, përfshirë edhe veriun e vendit, për të parandaluar incidententet.
“Me planifikimet e parashikuara do të ketë shtim të aktiviteteve policore për të ofruar më shumë siguri në tërë vendin, për të gjithë qytetarët pa dallim. Planifikimet operative policore do të fokusohen në rritjen e prezencës policore në teren, duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët”, thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se “policia me anë të veprimeve operative dhe atyre inteligjente do të ketë synim që të ruajë rendin e qetësinë publike, të parandalojë aktet kriminale e të hetojë e vejë para drejtësisë të gjitha ata që do të guxojnë të atakojnë sigurinë, ligjin dhe rendin kushtetues”.
Këto masa vijnë pasi ibjekti komunal në Zveçan është sulmuar me granatë mbrëmë pak para mesnatës.
Përveç disa dritareve të thyera në objektin e komunës, janë dëmtuar edhe tre automjete që kanë qenë të parkuara në afërsi, dy prej të cilave me targa të Serbisë dhe një me targa vendore.
Edhe stacioni i policisë në Zveçan ra pre e sulmit me granatë dy ditë më parë.
Top Channel