E ftuar në emisionin “Ndryshe” në Top Albania Radio me Salsano Rrapi dhe Elona Duro ka qenë modelja dhe sipërmarrësja Aurela Hoxha.
Me një karrierë disa vjeçare në botën e modës, Aurela Hoxha është larguar nga Shqipëria përpara disa kohësh pasi ka nisur një jetë të re në Spanjë, ku ka krijuar dhe një linjë me bikini.
Siç edhe e lartpërmendëm, Aurela ka nisur karrierën e saj në modeling përpara shumë viteve dhe është ende një simbol i bukurisë. Për t’u rikthyer pas në këto kohë, si kanë qenë fillimet e saj, duke nisur që nga vështirësitë e deri tek pagesa e parë?
Elona Duro: Kur të kemi parë ne ty për herë të parë, që të na e risjellësh pak në memorie?
Salsano Rrapi: Më duken se ka shumë vite kur ke dalë për herë të parë, që je bërë person publik.
Aurela Hoxha: Për herë të parë në audicionet tek “E Diela Shqiptare” me Arditin. Domethënë imagjino me të dielën e parë. Me 70 e ca goca dhe Aurela që nuk fliste asnjë fjalë, se unë emocionohesha aq shumë me Arditin, që përfitoj rastin ta përshëndes. Pavarësisht kësaj unë fitova, sepse nuk e di.
Cilat kanë qenë projektet e saj të para?
“Është interesante, sepse unë krahas punës së televizionit në atë periudhë dhe studimeve, kisha shumë dëshirë të angazhohesha. Më pëlqente shumë moda, më pëlqente shumë. E ndiqja këtë pjesë dhe fillova punë në të njëjtën kohë në një revistë të vogël në atë kohë. Fillova punë dhe rroga ime e parë ka qenë 20.000 lek. Edhe direkt pas shkollës, se nuk kishte orare fikse, unë shkoja gjithmonë në zyrë. Pastroja, e mbyllja, sepse isha kurioze deri në detajin më të fundit se si funksiononte dhe më pas hapa revistën time të modës. Kam pasur gjithmonë shumë dëshirë të punoj dhe nuk mbaj mend që nga hera e parë që kam dalë e deri tani që mos kem bërë dy tre punë paralelisht”, tha ajo.
Top Channel