Qindra të arrestuar në Pakistan në protestat për lirimin e krye-opozitarit Khan (fotot)

27/11/2024 19:32

Autoritetet në Pakistan thonin sot se kanë arrestuar rreth 1,000 mbështetës të ish-kryeministrit të burgosur Imran Khan që kishin ardhur në masë në kryeqytetin Islamabad, për të kërkuar lirimin e tij.

Përfaqësues të Khan thanë për mediat pa dhënë prova konkrete, se qindra njerëz kanë pësuar plagë armësh zjarri gjatë përleshjeve të natës në kryeqytet, teksa protestuesit e drejtuar nga bashkëshortja e Khan kalonin me forcë mes barrikadave të policisë.

Kreu i policisë së Islamabad, Ali Rizvi mohonte se oficerët kishin përdorur armët e zjarrit gjatë operacionit, ku policia asistohej dhe nga forcat ushtarake e paraushtarake.

Rizvi tha se 600 protestues ishin arrestuar gjatë operacioneve të së martës, duke e çuar numrin total të të ndaluarve prej të dielës në 954.

Ai shtoi se dhjetra armë ishin sekuestruar nga protestuesit.

Ali Amin Gandapur, krahu i djathtë i Khan dhe ministri i rajonit Khyber Pakhtunkhwa ishin pjesë e protestës dhe u larguan kur nisi operacini i dhunshëm i policisë.

“Si unë dhe gruaja e Imran Khan u sulmuan drejtpërdrejt nga policia”, tha Gandapur për gazetarët në Mansehra, në provincën që ai drejton.

Bashkëhsortja e Khan, Bushra Khan nuk ishte lënduar, thanë zyrtarët e partisë por nuk u paraqit në konferencë shtypi edhe pse ishte njoftuar si pjesëmarrëse.

Dje të paktën pesë njerëz janë vrarë gjatë përplasjeve të shumta, mes të cilëve dhe anëtarë të forcave të sigurisë, raportojnë mediat vendase, teksa mbështetësit e Khan thonin se nuk largohen nga kryeqyteti deri në lirimin e liderit.

Mijëra njerëz refuzuan bllokimet e vendosura nga policia, shumica mbështetës të partisë së Khan, Tehreek-e-Insaf (PTI) që kërkojnë lirimin e tij para seancës gjyqësore për akuza terrorizmi.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA