Nga Athina ku ndodhet për një vizitë të shkurtër, Sekretari i Përgjithshëm I NATO-s Mark Rutte dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis kanë theksuar nevojën për të ruajtur mbështetjen për Ukrainën gjatë muajve të dimrit si dhe për avancimin e planit për një mburojë antiraketë mbi Evropë, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit në Rusi.
“Mburoja antiraketë është më e rëndësishme se kurrë, le të diskutojmë se si mund të realizohet kjo domosdoshmëri”, ka thënë Mitsotakis duke shtuar se “Greqia ka një rol konstruktiv, si një shtyllë stabiliteti dhe sigurie në krahun juglindor të NATO-s”.
Pas takimit në zyrën kryeministrore , dy liderët kanë dhënë një konferencë të përbashkët shtypi, ku kreu i qeverisë greke, në një mesazh të tërthortë ndaj Turqisë, ka theksuar se “duhet të ndërtojmë ura bashkëpunimi me partnerët” dhe se “duhet të vazhdojmë me besim në parimet e demokracisë, lirisë, me respekt për të drejtën ndërkombëtare dhe traktatet ndërkombëtare, diçka që shqetëson veçanërisht rajonin e ndjeshëm të Ballkanit Perëndimor”.
Nga ana e tij S.P. i NATO-s Mark Rutte ka thënë se “Greqia është anëtare e përkushtuar e Aleancës për mbi 70 vjet, dhe tani investon 3% të PBB-së së saj në mbrojtje, ndërsa po vazhdon me një modernizim të ri të forcave të saj armatosura duke zhvilluar industrinë e mbrojtjes ,duke kryer edhe stërvitje të mëdha ushtarake”.
“Mbështetja jonë për Kievin duhet të vazhdojë sidomos në këto momente kur Rusia me luftën e saj të paligjshme në Ukrainë po përdor ushtarët e Koresë së Veriut, apo dronët kinezë, ndaj duhet të mbështesim mbrojtjen ajrore të Ukrainës”, ka shtuar ai.
Më herët Rutte ka zhvilluar një takim në Ministrinë e Mbrojtjes ku është takuar me ministrin Nikos Dendias dhe më pas edhe në Ministrinë e Jashtme ku ka pasur një takim me kreun e diplomacisë greke Giorgos Gerapetritis.
Top Channel