Rusia sulmon 17 rajone të Ukrainës, me një numër rekord dronësh! Goditen ndërtesa banimi dhe rrjeti kombëtar i energjisë elektrike

26/11/2024 15:51

Rusia lëshoi gjatë natës 188 dronë kundër 17 rajone rajoneve të Ukrainës, njoftuan të martën zyrtarë të forcave ajrore ukrainase. Ata thanë se ky zhvillim shënoi një rekord për nga numri i dronëve të përdorur në një sulm të vetëm.

Shumica e dronëve u interceptuan, por të tjerë dëmtuan ndërtesa banimi dhe infrastrukturë thelbësore, si rrjetin kombëtar të energjisë elektrike. Zyrtarët nuk kanë njoftuar deri tani për viktima.

Që nga mesi i këtij viti Rusia ka goditur zonat civile të Ukrainës me sulme gjithnjë e më të rënda me dronë, raketa e bomba.

Moska ka ruajtur kryesisht epërsinë në fushën e betejës dhe ka shënuar përparime të rëndësishme taktike në rajonin lindor të Donetskut, sipas analistëve ushtarakë perëndimorë.

Përparimi rus po kërcënon rrugët e rëndësishme të furnizimit në Donetsk, tha të hënën Instituti për Studimin e Luftës me qendër në Uashington.

Megjithatë sipas grupit të ekspertëve mbrojtja e Ukrainës në këtë rajon nuk rrezikon të thyhet. Ata vunë në dukje se Rusisë do t’i duhej të kapte më shumë se 8,000 kilometra katrorë territor, për të arritur qëllimin e Kremlinit për të kapur të gjithë Donetskun.

Ukraina përballet me një dimër të vështirë, me pasiguri mbi furnizimin me energji elektrike mes sulmeve ruse në vazhdim e mbi mbështetjen amerikane pasi Presidenti i zgjedhur Donald Trump të marrë detyrën në janar.

Alarmet për sulme ajrore gjatë natës në rajonin e Kievit zgjatën më shumë se shtatë orë. Rusia po përpiqet të dobësojë vullnetin e banorëve civilë për të rezistuar pas rreth 3 vitesh luftë.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha të martën se forcat e saj shkatërruan 39 dronë ukrainas gjatë natës mbi rajonet ruse pranë kufirit me Ukrainën.

Në një tjetër zhvillim, një gjykatë në rajonin Kursk të Rusisë ka urdhëruar që një shtetas britanik që luftonte krah trupave ukrainase, të mbahet në paraburgim, në pritje të përfundimit të hetimeve dhe një procesi gjyqësor ndaj tij.

Vendimi për shtetasin britanik, i identifikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve Tass dhe media të tjera si James Scott Rhys Anderson, u njoftua të martën nga gjykata.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura në gjykatën e qarkut Leninsky në qytetin e Kurskut. Nga deklarata nuk qartësohej se me cilat akuza përballet zoti Anderson dhe nëse ai konsiderohet rob lufte nga autoritetet ruse.

Sipas njoftimeve shtetasi britanik u kap në rajonin e Kurskut, ku forcat ukrainase kanë kapur territor, pas një ofensive rrufe në muajin gusht./ voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA