Mijëra mbështetës të ish-kryeministrit pakistanez Imran Khan kanë hyrë me forcë në kryeqytetin Islamabad mes përplasjeve me forcat e rendit, duke kërkuar lirimin e tij.
Të paktën katër njerëz janë vrarë gjatë përplasjeve të shumta, mes të cilëve dhe anëtarë të forcave të sigurisë, raportojnë mediat vendase, teksa mbështetësit e Khan thonë se nuk largohen nga kryeqyteti deri në lirimin e liderit.
Mijëra njerëz refuzuan bllokimet e vendosura nga policia, shumica mbështetës të partisë së Khan, Tehreek-e-Insaf (PTI) që kërkojnë lirimin e tij para seancës gjyqësore për akuza terrorizmi.
Kryeministri Shehbaz Sharif tha në një deklaratë se katër oficerë sigurie ishin vrarë nga goditja e një automjeti.
Teksa protestuesit përlesheshin me forcat e rendit, këto të fundit raportohet se refuzonin të përdornin armët e zjarrit. Sharif dënonte dhunën duke thënë: “Kjo nuk është një protestë paqësore, është ekstremizëm”.
Ministri i informacionit Bukhari tha se mbështetësit janë ulur rreth parlamentit dhe do të qëndrojnë deri në plotësimin e kërkesave, mes të cilave dhe lirimi i Khan.
Grupi i të drejtave të njeriut Amnesty International tha se “forcat e rendit kanë përdorur dhunë të paligjshme e të ekzagjeruar” ndaj protestuesve.
Marshimi në Islamabad vjen pas dy ditë përplasjesh gjatë rrugës së protestuesve për në kryeqytet. Përveç katër oficerëve të sigurisë, një protestues raportohet se u vra në incidentin me automjet.
Gazetari Kamal Hyder i rrjetit të Katarit, Al Jazeera tha nga Islamabad, se situata është “e tensionuar” dhe se ka raprotime kontradiktore për ngjarjet:
“Qeveria thotë se protestuesit goditën me makinë personelin e sigurisë por dëshmitarët thanë se makina e policisë po ecte së prapthi në panik kur po afrohej turma e protestuesve”, shtoi Kamal.
Top Channel