Për Josep Borrell, Izraeli nuk ka asnjë “justifikim” që të refuzojë marrëveshjen e armëpushimit me Hezbollahun.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian konsideron se ujdia e e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca i jep zgjidhje të gjitha shqetësimeve të ngritura nga shteti hebre. Sipas Borrellit, duhet ushtruar më shumë presion ndaj Izraelit që të mposhtë linjën ekstremiste brenda qeverisë së tij, linjë kjo të cilën e identifikon si rrënjën e problemit në kundërshtimin e paktit të paqes.
“Në marrëveshjen e propozuar, Izraeli i ka të adresuara të gjitha shqetësimet e sigurisë. Nuk ka asnjë justifikim për moszbatimin e një armëpushimi. Nëse marrëveshja për armëpushim nuk zbatohet, Libani do të shpërbëhet”, tha Borrell.
Kabineti i sigurisë i kryeministrit Benjamin Netanyahu, pritet të mblidhet së shpejti për të diskutuar pushimzjarrin e propozuar. Në mesin e çështjeve që ende kanë mbetur të pazgjidhura është edhe një kërkesë e Tel Avivit për të rezervuar të drejtën për të vepruar nëse Hezbollahu shkel detyrimet që dalin nga marrëveshja e re. Hezbollahu nisi sulmet në kufi kundër Izraelit më 8 tetor 2023, një ditë pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, që nxiti luftën në Gaza. Luftimet mes Hezbollahut dhe Izraelit u përshkallëzuan shtatorin e këtij viti, me Izraelin që nisi sulme masive ajrore në Liban dhe më pas nisi një ofensivë tokësore në jug të Libanit.
Top Channel