Në një prej momenteve më të vështira të saj, partia opozitare «Aleanca e së Majtës Radikale», «Syriza» , ka zhvilluar këtë të dielë zgjedhjet për liderin e ri të saj.
Kandidatë për kreun e partisë ishin eurodeputeti Nikolas Farantouris, deputetët Pavlos Polakis dhe Sokratis Famellos si dhe aktori i njohur Apostolos Gletsos.
Pas numërimit të më shumë se 70.000 votave deputeti Sokratis Famellos ka fituar me 50,5% që në raundin e parë dhe do të drejtojë partinë “Syriza” me synim të parë unitetin e saj, pas përçarjes së tretë të radhës brenda 18 muajve.
Lideri i ri i “Syriza”-s Sokratis Famellos ,me diplomë inxhineri kimike dhe Master në Planifikimin Mjedisor është deputet në parlament prej vitit 2015 dhe në qeverinë Tsipras 2015-2019, u emërua zëvendësministër i Mjedisit dhe Energjisë.
Kujtojmë pas dorëheqjes së Aleksis Tsipras pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të verës së 2023-it , në krye të «Syriza»-s u zgjodh homogjeni greko-amerikan Stefanos Kasselakis dhe një grupim i madh prej 11 deputetësh u larguan dhe krijuan forcën e re politike e «Majta e Re».
Por 9 muaj më pas edhe vetë Kasselakis duke mos gjetur gjuhën e përbashkët me shumë prej zyrtarëve të lartë të partisë të cilët sollën edhe mocion votëbesimi ndaj tij, u largua dhe këtë fund javë krijoi partinë e tij të re «Lëvizja për Demokraci».
Këto përçarje kaq të thella dhe largimi i deputetëve sollën edhe humbjen e pozicionit të “Syriza”-s si partia më e madhe opozitare në parlament duke i lënë vendin socialistëve të PASOK-ut.
Analistët ende nuk janë të bindur në se “Syriza” do të rigjejë veten dhe do të bëhet përsëri një parti që do të kërkojë përsëri qeverisjen.
Nga ana tjetër , kriza politike dhe divergjencat nuk mungojnë edhe tek partitë e tjera greke, madje edhe tek partia në fuqi “Demokracia e Re” ,ku lideri dhe kreu i qeverisë Kyriakos Mitsotakis vetëm para një jave përjashtoi nga grupi parlamentar ish kryeministrin dhe një nga zërat më kritikë për politikën e Jashtme greke dhe jo vetëm, Antonis Samaras.
Top Channel