Dhjetëra mijëra protestojnë në Barcelonë për krizën e strehimit dhe qiratë e larta (fotot)

25/11/2024 17:12

Çmimet e qirave janë rritur në qytet prej dhënieve afatshkurtra te apartamenteve për turistët, thotë ekspertët.

Dhjetra mijëra spanjollë marshuan mbrëmë në qendër të Barcelonës për rritjen marramendëse të qirasë së apartamenteve në vendin e njohur si destinacion turistik.

Protestuesit mbyllën rrugët kryesore në qendër të qytetit teksa në pankartat e tyre shkruhej “Më pak apartamente si investim dhe më shumë shtëpi për njerëzit” ose “Njerëzit pa shtëpi do të mbrojnë të drejtat e tyre”.

Mungesa e banesave të përballueshme po kthehet në një problem serioz në të gjithë Spanjën, ashtu di dhe në vende të tjera të botës, përfshi dhe SHBA.

Organizatorët thanë se më shumë se 100,000 njerëz ishin në protestë, ndërsa policia e Barcelonës tha se ishin vetëm 25,000.

Kjo për arsye se vetëm 10 vitet e fundit qiratë janë gati dyfishuar në Spanjë, ndërsa çmimi i një metri katrorë për banim është rritur nga 7.2 euro në 2014 në 13 euro këtë vit, sipas rrjetit vendas Idealista.

Rritja është më e theksuar në qendra si Barcelona e Madrid. Ndërsa rrogat e popullsisë nuk kanë ndjekur të njëjtat ritme në vendin ku papunësia e të rinjve mbetet e lartë.

Protestuesi Samuel Saintot tha se ishte “i zhgënjyer dhe i trembur” kur pronari apartamentit ku jeton prej 15 vitesh në Barcelonë i kishte kërkuar të largohej, sepse duan të rinovojnë shtëpinë dhe ta japin me çmim më të lartë.

“Edhe 20 deri në 30-kilometra jashtë qytetit nuk gjej dot një shtëpi që mund të përballoj, dhe unë kam një rrogë të pranueshme. Por edhe në rastin tim po detyrohem të largohem nga qyteti”, tha ai per rrjetin Associated Press.

Rritjet po shkaktojnë dhimbje të konsiderueshme në Spanjë ku njerëzit zakonisht kërkojnë të kenë pronësi të shtëpive të tyre, shkruan The Independent.

FOTO GALERI
2/3
Protestuesit mbyllën rrugët kryesore në qendër të qytetit teksa në pankartat e tyre shkruhej “Më pak apartamente si investim dhe më shumë shtëpi për njerëzit” ose “Njerëzit pa shtëpi do të mbrojnë të drejtat e tyre”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA