Bashkimi Evropian e ka rritur ofertën e kombeve të pasura për shtetet e varfra që janë goditur rëndë nga ndryshimet klimatike duke iu ofruar 300 miliardë dollarë, pasi shtetet në zhvillim kanë paralajmëruar disa herë se janë buzë kolapsit.
Ka ende ankth se marrëveshja mund të mos arrihet, pasi vendet në zhvillim kërkojnë që fondi për klimën të shkojë në 500 miliardë dollarë.
Negociatorët kanë punuar gjithë natën në Baku në kërkim të një kompromisi, para përfundimit të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Klimën (COP29).
Teksa raportohet se viti 2024 do të regjistrohet si më i nxehti ndonjëherë, shtetet në zhvillim janë duke mbajtur barrën më të rëndë, pasi po përballen me thatësi dhe përmbytje të mëdha. Kjo është arsyeja që ata e kanë refuzuar një ofertë fillestare për ndihmë, në vlerë të 250 miliardë dollarëve për vitin 2025.
Dy negociatorë kanë thënë se Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje shteteve të pasura – përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe Japoninë – që shuma të rritet në 300 miliardë dollarë.
Mirëpo, ky kompromis është bërë me disa kushte. Sipas tyre, evropianët, në veçanti, kanë kërkuar një raport vjetor se sa përpjekje po bëhen për të shmangur përdorimin e lëndëve djegëse të papërpunuara, të cilat janë shkaktaret kryesore të ngrohjes globale.
Kjo kërkesë më pas është kundërshtuar nga Arabia Saudite, e cila nuk është në favor të heqjes dorë nga nafta, gazi dhe qymyri.
Ministri irlandez për Klimën, Eamon Ryan, ka thënë se shpreson që gjatë orëve në vazhdim do të arrihet marrëveshje përfundimtare për fondin për mbrojtje të klimës.“Neve na duhet një marrëveshje. Është shumë e rëndësishme që t’i japim shpresë botës”, ka thënë Ryan.
Shkencëtarët për klimën kanë thënë se Bota është ngrohur 1.1 gradë Celsius në krahasim me epokën industriale, ndërsa shtetet synojnë që ta mbajnë atë nën 1.5 gradë Celsius, për të shmangur katastrofa të mëdha natyrore.
Top Channel