I ngritur prej kohëve të lashta në shkretëtirën e Jemenit, ky qytet ka ‘qiellgërvishtës’ të një materiali ndryshe nga ato që njohim sot.
I njohur ndryshe si ‘Manhattan i shkretëtirës’, Shibam është një nga qytetet e Jemenit me ndërtesa të larta mjeshtërore balte. Strukturat e habitshme kanë nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme kundër elementëve të motit, dhe janë gjithashtu ne meshiren e fatit prej konfliktit te rëndë që ka përfshirë vendin e varfër prej një dekade.
Qytetet e vjetra jemenite Zabid, Sana e Shibam janë njohur të gjitha si trashëgimi botërore e Unesco për arkitekturën e tyre të mrekullueshme të epokës.
Tradita mjeshtërore e ndërtesave disa-katëshe të baltës, daton prej shekujve të 8-të e të 9-të, por data e saktë e ndërtimeve nuk kuptohet prej mirëmbajtjes së shpeshtë, shkruan rrjeti britanik Metro.
Muret e këtyre grataçielave të pazakonta janë më shumë se 1 metër të trasha në katet e poshtme, teksa sa vijnë e hollohen drejt kateve të mësipërme, për të krijuar sa më shumë stabilitet në ndërtim.
Zakonisht çdo kat ka dy dhoma ndërsa vetë ndërtesa arrin në 10 deri në 11 kate secila, ne nje arritje të pamendueshme inxhinierie po të llogaritësh se janë krijuar vetëm prej balte.
Disa nga katet më të ulëta të ndërtesave nuk kanë dritare pasi më parë përdoreshin për strehimin e kafshëve, dhe nganjëherë si dyqane ose hapësira pune.
Mes tyre shihen gjithashtu fasada të zbukuruara me ornamente të shumta si dhe me xhama të ngjyrosur, të njohur në vend si ‘mashrabija’, shkruan BBC.
Dekorimet e jashtme bëhen me gëlqere, duke krijuar kontrastin me tullat e baltës në ngjyrë më të errët.
Megjithëse ndërtesat janë disa shekullore ato përdoren ende për të jetuar, punuar dhe nganjëherë dhe të kaluar kohë në tarracat e tyre, shkruan rrjeti Metro.
Top Channel