Nga Aladin Stafa
Në kundërpërgjigje të pakënaqësisë së përgjithshme, shoqëria njerëzore ia ka dalë gjithmonë të krijojë/ formësojë modele të reja sistemesh politike. I tillë do të ishte socializmi. Në Europën e shek. të 18-të dhe 19-të, socializmi do të lindte si kundër-rrymë ndaj dominimit të impaktit që solli revolucioni industrial, i ashtuquajtur kapitalizëm i cili edhe pse kanë kaluar disa shekuj duket se është rendi më këmbëngulës dhe më i fortë se gjithë të tjerët. Ai nuk ka lëvizur aspak nga thelbi i tij. Herë pas here e kanë sulmuar, anatemuar, goditur dhe luftuar por është i vetmi që ka mbijetuar. Sepse njeriu nën këtë rend, pavarësisht të mirave dhe të drejtave që gëzon vazhdon të vuajë të njëjtën ´skllavëri´.
Socializmi nga ana tjetër do të shfaqej në tri forma- socializmi demokratik, ai marksist dhe tjetri socialdemokrat.
Si në cdo pikënisje, implementimi parësor i socializmit do të konsiderohej një eksperiment. Në Parisin e vitit 1871, një grup njerëzish nga klasa punëtore u bënë bashkë për të formuar një qeveri me parime socialiste ku do të mbizotëronte barazia ekonomike dhe qeverisja demokratike.
Inisiativa dështoi me sukses por fryma u përhap. Në Britaninë e Madhe dhe përtej oqeanit, në SHBA, inspiruar edhe nga Robert Owen, u formuan gjithashtu komunitete të vogla me të njëjtat parime dhe ideale, suksesi i të cilave dukej krejt i pamundur. Por ndodhi ndryshe.
Përhapjen e parë të gjerë do ta kishte në Bashkimin Sovjetik me Revolucionin e Tetorit, në vitin 1917, i cili u udhëhoq nga Vladimir Lenin dhe Leon Trocki. Partia Bolshevike e kohës kishte për qëllim ndërtimin e një shoqërie pa klasa dhe ku cdo pronë/ industri apo aset privat do të centralizohej nga shteti. Ai do të posedonte kontrollin e gjithckaje.
Por kjo histori e një rendi të ri që po vendosej në pothuaj gjysmën e botës, sidomos pas L.II.B. solli shumë të papritura. Kjo filozofi e së majtës degradoi përgjatë historisë në dekada duke u rreshtuar në një kah fort të gabuar të historisë. Revolucioni rus i shpikur prej bolshevikëve solli një komunizëm që u implementua më pas nga vendet e lindjes në një sistem diktatorial të egër, ku filozofisë të së majtës europiane i pat mbetur vetëm emri.
Krijimi i partisë-shtet u shtri me shpejtësi në të gjithë Europën Lindore, si dhe në vendin tonë, forcimi i së cilës do të rritej sidomos në dekadat e pas L.II.B.
Do të ishte pikërisht kjo ndarje në frymë jo vetëm politike e cila do të bënte dallimin mes Perëndimit dhe Lindjes, një ndarje botësh që Lindja e vuan edhe sot. Termat si liria, besimi dhe sipërmarrja individuale as që mund të mendoheshin sepse ekonomia duke përjashtuar vitet e para të zhvillimit industrial filloi të vuante prej zhdukjes së pronës private. Censura dhe liria e fjalës u sanksionuan me ligj. Po vendosej një rend i ri.
Por a ishte ky socializmi i kërkuar? Të drejtave që mungonin? Barazisë dhe një shoqërie pa klasa?
E kishin parashikuar vërtetë Robert Owen, Henri de Saint-Simon dhe Charles Fourier këtë përshkallëzim të situatës ndërsa frymëzonin shoqëritë e reja në Europë? Liderët e tyre politikë?
Natyrisht që jo! Socializmi lidhej me mundësinë e shtetit për t’i ardhur në ndihmë individit, për t’i ofruar mundësi edukimi/arsimimi dhe punësimi cdokujt. Për t’i dhënë zë të drejtave, për të luftuar pabarazinë e klasave e cila po dhunohej nga borgjezët e kohës duke e cuar proletariatin nën zgrip.
Fatkeqësisht në Europën Lindore nuk ndodhi kështu. Rendi i ri i pasluftës për dekada krijoi trauma në shoqëritë përkatëse dhe shembulli më pasqyrues do të ishte fabula me lopët, ku pasi je kujdesur për to, madje t’i kesh mjelur dhe qumështin, partia-shtet jo vetëm që do ta përvetsonte atë por mund të të rrëmbente edhe gotën në fund.
Ndërkohë në Perëndim dhe në Skandinavi socializmi do të vendosej në mënyrën më utopike dhe demokratike të tij. Progresi ekonomik që ato shoqëri patën në aspektin industrial dhe ekonomik, ngritja e një sistemi vlerash dhe formimi i një shtylle të fortë shtetërore janë akoma arsyet që edhe pse në një kohë trazirash si kjo e sotmja, qëndrojnë fort në këmbë.
Politika sot është modernizuar duke iu larguar parimeve themelore në bazë të secilës rrymë dhe duke krijuar një përzierje e cila po e con të djathtën dhe të majtën drejt qendrës.
Ndaj përtej anëve pozitive ka dhe aspekte negative ku kemi humbje në identitet e ideale. Globalizmi dhe stabilokracia ka sjellë një gjendje stand-by në shoqëri. Rrugëtimi drejt qendrës është lehtësisht i arritshëm por mbajtja e një barazpeshe ka vështirësi dhe përzierja e dy të kundërtave mund të krijojë mutacione të rrezikshme.
Bota po kalon një periudhe kaotike tranzicioni e ndërsa deri në kthjellimin e situatës do të duhen disa kohe,´përbindshat´ do të vazhdojnë ende …të enden.
Top Channel