Kabineti i presidentit të porsazgjedhur të SHBA-së, Donald Trump po merr formë.
Republikani planifikon të emërojë financierin e njohur nga “Wall Street”, Howard Lutnick, në krye të Departamentit të Tregtisë.
Miliarderi 63-vjeçar ka qenë bashkëkryetar i ekipit të tranzicionit të presidentit të zgjedhur, duke ndihmuar në shqyrtimin dhe verifikimin e shumë kandidatëve për poste kyçe në kabinetin e ri të Trump, i cili merr detyrën më 20 janar.
Lutnick ka qenë një mbështetës i hapur i republikanit Trump gjatë muajve të fundit. Sipas VOA-s, Lutnick, drejtues i firmës globale për shërbime financiare, “Cantor Fitzgerald” ishte në garë për të marrë postin e Sekretarit të Thesarit, një tjetër detyrë e lartë që Trump duhet të plotësojë në kabinetin e tij.
Por njerëz të afërt me presidentin e zgjedhur thonë se Lutnick u anashkalua për postin në fjalë mes konflikteve me një tjetër kandidat kryesor, investorin Scott Bessent. Nëse emërohet për t’u bërë sekretar i tregtisë dhe konfirmohet nga Senati, siç ka të ngjarë, Lutnick mund të luajë një rol vendimtar në zbatimin e politikave ekonomike dhe tregtare të presidentit.
Trump ka propozuar rritjen e tarifave për mallrat e importuara, një përpjekje për të nxitur prodhimin brenda vendit të të njëjtave produkte, por që në një afat të afërt kërcënon të rrisë çmimet për konsumatorët amerikanë dhe të çrregulloj ekonominë globale.
Departamenti i Tregtisë mbikëqyr një sërë politikash federale për bizneset, përfshirë gjysmëpërçuesit, sigurinë kibernetike dhe patentat, si dhe ndihmon në nxitjen e bizneseve të reja dhe rritjen ekonomike në Shtetet e Bashkuara, ekonomia më e madhe në botë.
Top Channel