Ermira Lipo po përballet e vetme me të gjitha vështirësitë që i kanë rënë mbi supe.
Ka hequr dorë nga gjithçka dhe ka vetëm një qëllim, të kujdeset për Elonën, vajzën e saj, e cila në janar bëhet 11 vjeçe. Në trupin e Elonës janë kryer 23 ndërhyrje kirurgjikale, por ende ka nevojë për ndërhyrje të tjera.
“Jam nënë e dy fëmijëve, kam lindur një gocë me probleme. Vajza ime është 11 vjeçe dhe deri më tani ka bërë 23 operacione, goca nuk ecën”, u shpreh Ermira Lipo.
Elona ka dëshirë të shërohet dhe të mund të bëhet mjeke në të ardhmen që të mund të ndihmojë të gjitha ata që ndodhen në vështirësi shëndetësore siç është ajo sot. Përpiqet të ndjekë mësimet në shkollën “Ardian Klosi” në Tiranë, por e ka të vështirë të mbajë mend dhe të qëndrojë gjatë.
“Ka shumë dëshirë të shkojë në shkollë, në aktivitete. mërzitet shpesh, ka dëshirë të luajë si shoqet e saj, më shprehet shpesh, mami pse je e mërzitur unë do bëhem mire. Goca ka shumë probleme, ajo është me pampres ka ilaçet e saj, i do të gjitha kushtet se është e paralizuar”, u shpreh Ermira Lipo.
Përballë nevojave të shumta, të ardhurat janë të pakta për këtë familje.
Medikamentet kushtojnë, ndërsa ndërhyrjet e realizuara në Turqi janë bërë të mundura falë donatorëve dhe shoqatave të ndryshme që kanë kontribuuar për të.
“Po i le 7-8 vjet që jetoj në tiranë, vetëm për gocën, qiranë e kamë 200 mijë lekë, të ardhura kam vetëm të ardhurat e kempit, kujdestarinë 130 dhe 200 e ca merr goca, të gjitha ndërhyrjet Elona që ditën kur ka lindur dhe deri më sot Elona vetëm me këto shoqatat është marrë, njerëzit se vetë nuk ia dal dot”, u shpreh Ermira Lipo.
Top Channel