Inside Story/ A funksionon skema e rimbursimit?! Rrëfimi i gruas: Kam 3 të sëmurë në shtëpi, nuk u siguroj dot barna

20/11/2024 21:50

Kjo është Valbona Haliti, të cilën vështirësitë e kanë kthyer në kryefamiljare, infermiere, kujdestare të të birit të sëmurë pa harruar edhe përgjegjësitë e saj si zonja e shtëpisë. Familja përbëhet nga 5 anëtare, tre prej së cilës janë të sëmurë dhe kanë nevojë për shërbim të vazhdueshëm.

‘Unë kam djalin të sëmurë, është 15 vjeç, me autizëm që në moshën 3 vjeç e tre muaj, kam burrin me 5 unaza në zemër, me probleme kardiake, me diabet të lartë, dhe së fundmi i ka dalë sëmundja e zjarrit, ka edhe dhjamë në barkë por që nuk mund të bëhet operacion. kam vjehrrën është e paralizuar, me 5 unaza në zemër’, u shpreh Valbona Haliti, familje në vështirësi

Jo vetëm përgjegjësia për kujdesin e tyre por edhe blerja e ilaçeve është kthyer në një sfidë për Valbonën, e cila përpiqet shumë por nuk po arrin të gjejë një zgjidhje. E vetmja që e ndihmon është një farmaciste që i jep medikamente me listë, ndonëse i di kushtet në të cilat ndodhet familja.

‘Për vjehrrën unë shpenzoj 50 mijë lekë pasi të tjerat i ka me rimbursim, për burrin shpenzoj 190 mijë lekë ilaçe përveç të diabetit që i rimburson shteti, për djalin i ble të gjitha vetë. Djali ka pasur probleme shumë më veshin se njërin vesh e ka të shpuar, kemi 6 vjet që luftojmë me atë problem, ilaçet e veshit i shkonin 60-70 mijë lekë të vjetra në muaj, me gjithë vizita merr edhe që nuk e rimburson shteti, prap e blejmë atë ilaç’, u shpreh Valbona Haliti, familje në vështirësi.

Të ardhurat e familjes janë të pakta aq sa të gjitha së bashku nuk mjaftojnë vetëm për medikamentet, pa llogaritur kosto dhe shpenzime të tjera po ashtu të domosdoshme. Valbona përpiqet të gjejë forcë për të vazhduar përpara, por askush nuk i ka ardhur në ndihmë. Sëmundjet nga të cilat vuajnë familjarët janë të pashërueshme dhe duhen trajtuar në vijimësi, por për të gjithçka sa vjen e bëhet më e vështirë.

‘Është shumë e vështirë jetesa me tre të sëmurë, është e tmerrshme. unë kam vetëm një vajzë dhe ajo është në shkollë, edhe vajzën vazhdimisht e kam hequr nga shkolla sepse çoja njërin në spital dhe duhet të lija vjehrrën më djalin me dikë këtu ne shtëpi se mua djalin nuk ma mban asnjë njeri. Nga gjendja që janë të rënduar unë një herë çoj njërin një herë çoj tjetrën, herë marr urgjencën që vjen dhe i shikon këtu rëndohen nga gripi, rëndohen nga këto sëmundjet e tjera. gjendja ekonomike këtu është nuk di çfarë të them’, u shpreh Valbona Haliti, familje në vështirësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA