Teksa shumë komunitete në botë vrasin mendjen ç’do të sjellë për ta rizgjedhja e Donald Trump, një fshat piktoresk italian në ishullin Sardenja e ka kthyer këtë në mundesi ripopullimi.
Ashtu si zona të tjera rurale në Itali, dhe fshati i Ollolai përpiqet të bindë të huaj të mbushin shtëpitë e tij pas disa dekadash largimesh.
Shtëpitë e lëna pas dore u jepen të ardhurve të rinj për një euro, me kusht zotimin e qëndrimit dhe riparimit të tyre dhe kësaj radhë oferta është drejtuar ndaj amerkanëve.
Meqënëse shumica e mediave liberale kanë mbështetur gjatë fushatës kandidate demokrate humbja e saj dhe fitorja e Trump, mund të shtojë mundësitë e largimit të të pakënaqurve me rezultatin, arsyeton oferta italiane.
“A je i lodhur nga politika globale? Kërkon një stil më të balancuar jetese dhe mundësi të reja? Është koha të ndërtosh arratisjen tënde evropiane në parajsën e mahnitshme të Sardenjës”, thuhet në faqen e internetit.
Kryebashkiaku Francesco Columbu tha për rrjetin CNN se faqja ishte krijuar posaçërisht për votues amerikanë pas zgjedhjeve presidenciale, duke shtuar se ai i donte amerikanët dhe shpresonin që ata të ringjallin komunitetin e fshatit.
“Për amerikanët kanë procedurë me hapa të përshpejtur pranimi, ne besojmë se ata do të vijnë të ringjallin vendin, ata janë shpresa jonë”.
Columbu tha se fshati ofron tashmë tre tipe akomodimi, për ata që vendosin të vijën aty: “Akomodim të përkohshëm për udhëtues nomadë, shtëpi një-euro për t’u rinovuar, si dhe shtëpi të gatshme të rinovuara me çmime rreth 100,000 euro”.
Shumica e ndërtesave gjenden në qendrën historike dhe janë të masave të ndryshme.
Ato janë shtëpitë piktoreske të fermerëve dhe barinjve të vjetër, të ndërtuar me gur graniti, disa prej të cilave të pajisura me komforet moderne.
Amerikanët e ftuar në ishull mund të jenë të të gjitha moshave dhe profesioneve, por duhet të hapin një lloj biznesi në fshat.
Ata mirëpriten në fshatin malor që ngrihet mbi tokën e vjetër bujqësore me pamje të mrekullueshme, ku shpesh organizohen taverna publike me produktet e zonës , ashtu dhe një karnival me maska që zakonisht mbahet në shkurt, shkruan rrjeti CNN.
Top Channel