Tragjedia që na sfidon të gjithëve: Kur konfliktet mes të miturve përfundojnë në vdekje

19/11/2024 17:49

Nga Vali Qyrfyçi

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani nga bashkëmoshatari i vet është një ngjarje tronditëse që na jep një shuplakë të fortë, na lëndon fort dhe na shkund duke na nxitur të gjithëve të reflektojmë thellë mbi përgjegjësitë tona si shoqëri dhe të veprojmë. Ky akt i dhunshëm, ndodhur mes adoleshentësh, është një kujtesë e hidhur për atë se si tensionet dhe konfliktet e pazgjidhura, edhe ato më të voglat, mund të përfundojnë në tragjedi të pakthyeshme.

Në këtë moshë të brishtë, kur djemtë janë ende në fazën e formimit emocional dhe social, prindërit, mësuesit dhe shoqëria në përgjithësi duhet të luajnë një rol kyç në edukimin e tyre mbi rëndësinë e dialogut, tolerancës dhe zgjidhjes paqësore të konflikteve. Fatkeqësisht, kjo ngjarje tregon dështimin tonë kolektiv për të krijuar një mjedis që promovon vlera pozitive dhe ndihmon fëmijët të menaxhojnë emocionet dhe situatat konfliktuale.

Kujtojmë se shkolla është jo vetëm vendi ku nxënësit marrin dije, por edhe hapësira ku ndërtojnë marrëdhënie dhe mësojnë të bashkëjetojnë.

Në këtë rast, shkolla nuk arriti të vëzhgonte dhe të ndërhynte në kohë për të parandaluar një përshkallëzim të tillë fatal. Përplasjet mes djemve ishin prezente prej disa ditësh, si brenda mureve të shkollës, por më të ashpra jashtë saj.

A është vërejtur dhe raportuar ky konflikt? A ka pasur ndonjë përpjekje për ndërmjetësim? Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje të drejtpërdrejta.

Përtej përgjegjësisë së shkollës, familja mbetet institucioni bazë ku fëmijët formojnë vlerat dhe sjelljet e tyre. Por çfarë ndodh kur familjet vetë nuk kanë informacion, janë në terr të plotë për problematikat e fëmijëve të tyre që s’duan ti mërzisin ata me problemet e tyre “të vogla”, por gjithashtu nuk janë të pajisura me mjetet e duhura për të trajtuar dhe orientuar fëmijët në këto situata?

Po ndikimi i rrjeteve sociale, i medias dhe i dhunës që ngrihet në piedestal në shoqëri? A po kontribuojnë këto elementë në normalizimin e konfliktit dhe përdorimin e dhunës si zgjidhje e konflikteve?

Kjo tragjedi, që nuk është e vetmja, na tregon se nuk është më e mjaftueshme të fajësojmë individë, familje, shkollë, apo raste të veçanta. Ajo kërkon një rishikim të gjithanshëm të sistemit tonë edukativ dhe social.
Çfarë po na ndodh si shoqëri? Pse heshtim të veçuar teksa prindërit e çdo adoleshenti përballen vazhdimisht me frikën për sigurinë e fëmijës së tyre brenda dhe jashtë shkolle?
Pse përpëlitemi zemërshtrënguar nga frika se mos dhe fëmija jonë përfshihet në të ashtuquajturat “ballafaqime” nga të cilat gjithnjë ka të lënduar?

Nevojitet një qasje shumëplanëshe, rritja e mbështetjes psikologjike në shkolla, forcimi i rolit të prindërve dhe edukatorëve në menaxhimin e konflikteve dhe ndërgjegjësimi i të rinjve për pasojat e veprimeve të tyre. Forcimi i autoritetit dhe figures së oficerit të sigurisë në shkolla që rëndom është thjesht një punonjës që nuk e ka autoritetin mes adoleshentëve në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme.

I frikshëm dhe mosreagimi i qytetarëve në konflikt. I turpshëm reagimi i atyre që në vend të afrohen e të ndajnë fëmijët nxitojnë të nxjerrin celularët për të filmuar sherrin e hedhur në rrjetet sociale.

Mos bëj gazetarin, po bëj qytetarin!

Nesër mund të jesh ti zemërpërpëlitur a pa puls në rrethana të ngjashme.

Një i vetëm mund të mos e ndalë sherrin e krimin, po nëse do të ishin të shumtë qytetarët, të rriturit që do të ndërhynin padyshim që nuk do kishim kaq dhembje e lot, nuk do ndjeheshim të kapur në grackë.

Martini do të ishte midis nesh dhe i qetë që e mbrojtën. Mario P. do të kuptonte se ishte ende në jetë duke shijuar moshën dhe jo barrën e një krimi makabër që ende nuk e ka perceptuar se çfarë do të sjellë në jetën e tij. Edhe ne nuk do të vuanim humbjen e madhe, as goditjen që të jep thika që reklamonte në rrjetin e vet social Mario pas konfliktit të pak ditëve më para, duke i dhënë vrasjes së djeshme ngjyrën e fortë të një krimi të paralajmëruar. Asnjë nuk reagoi.

Faleminderit farmacistes Kristina për të qenit aty! Për të ofruarit e dhembshurisë së nënës dhe qytetares së përgjegjshme.
Faleminderit për shembullin dhe heroinën që na dhe!

Një falenderim zemre dhe për këdo mësues që vihet në dijeni dhe reagon kujdesshëm në konfliktet mes nxënësve, që nuk mungojnë në asnjë shkollë.
Unë e kam një emër në mendje, nga një rast konkret, dhe i jam mirënjohëse sepse ajo është heroinë. Faleminderit!

Nuk mund ta kthejmë më Martinin e vogël, por mund të marrim mësime nga kjo humbje e tmerrshme. Kjo ngjarje duhet të jetë një thirrje për veprim. Jo vetëm për të parandaluar humbjen e jetëve të tjera, por për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më të kujdesshme dhe më humane për brezat e ardhshëm.

Një thirrje për veprim në çdo hallkë. Nuk duam nxënës të shkëlqyer. Duam fëmijë të sigurtë dhe qytetarë të mirë, të angazhuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA