Përdorimi i raketave amerikane nga Ukraina, Putin kërcënon me përdorimin e armëve bërthamore. Ja vendimi i fundit që ka marrë

19/11/2024 12:07

Presidenti Vladimir Putin ka përditësuar doktrinën bërthamore të Rusisë, dy ditë pasi homologu i tij amerikan Joe Biden i dha Ukrainës leje për të goditur objektiva brenda Rusisë me armë të prodhuara nga SHBA.

Sipas doktrinës së përditësuar të lëshuar të martën, Moska do të konsiderojë agresionin nga çdo shtet jo-bërthamor – por me pjesëmarrjen e një vendi bërthamor – si një sulm të përbashkët ndaj Moskës.

Kremlini filloi këtë raund të ri të retorikës bërthamore të martën, duke thënë se doktrina ushtarake e rishikuar teorikisht do të ulte pragun për përdorimin të armëve bërthamore.

Në një telefonatë me gazetarët të martën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, vuri në dukje se ndryshimet nënkuptojnë se “Federata Ruse rezervon të drejtën për të përdorur armë bërthamore në rast të agresionit duke përdorur armë konvencionale kundër saj dhe/ose Republikës së Bjellorusisë.”

Parandalimi bërthamor është një shtyllë e doktrinës ushtarake ruse, por ndryshimi duket se zgjeron përkufizimin e asaj që do të konsiderohej si agresion kundër Rusisë.

“Nje element i rëndësishëm i këtij dokumenti është që parandalimi bërthamor ka për qëllim të sigurojë që një kundërshtar i mundshëm të kuptojë pashmangshmërinë e kundërpërgjigjes në rast të agresionit ndaj Federatës Ruse ose aleatëve të saj,” tha Peskov.

Ky ndryshim vjen ndërsa Kremlini i përgjigjet vendimit të administratës së Biden-it për të lejuar Ukrainën të përdorë armë amerikane me rreze të gjatë brenda Rusisë, një lëvizje që qeveria ruse e ka sinjalizuar tashmë si një përshkallëzim të rrezikshëm të luftës në Ukrainë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA