Ministri Hoxha prezanton drejtorët në Shkodër e Lezhë: Godisni fort grupet kriminale dhe parandaloni ngjarjet!

19/11/2024 11:23

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, kërkoi nga drejtori i ri i Policisë së Shkodrës, Fatmir Lleshaj, goditjen e fortë të grupeve kriminale, që janë kërcënim për sigurinë e qetësinë e qytetarëve.

Gjatë prezantimit të drejtorit Lleshaj, ministri Hoxha theksoi se, ngjarjet e fundit kanë treguar që është urgjente nevoja për të forcuar operacionet dhe për të krijuar një mjedis, ku krimi nuk gjen hapësirë për të vepruar.

“Sfida mbetet dhe është e qartë: Grupet kriminale. Z. Lleshaj, i cili rikthehet në Shkodër, tashmë në një rol drejtues, ka detyrën dhe përgjegjësinë për të intensifikuar përpjekjet në këtë drejtim, për të punuar ngushtë me të gjitha strukturat dhe për të forcuar bashkëpunimin me komunitetin”, tha Ministri i Brendshëm.

Ndërsa falënderoi ish-drejtorin Edmond Sulaj për kontributin e vyer dhe rezultatet e rëndësishme, ministri Hoxha kërkoi nga drejtuesi i ri i Policisë së Shkodrës rritjen e forcës goditëse ndaj paligjshmërisë në tërësi, krimit të organizuar në veçanti, si dhe zbardhjen e ngjarjeve kriminale, me fokus të veçantë parandalimin e tyre, duke vlerësuar me prioritet çdo informacion ose të dhënë që vjen nga inteligjenca apo qytetarët.

Drejtori i ri i qarkut Lezhë, Altin Mena, gjatë ushtrimit të detyrave, ka qenë pjesë aktive e sukseseve të arritura së bashku me Drejtorin në detyrë Alfred Elezin, të cilin ministri e falënderoi për punën e bërë. Por Hoxha theksoi nevojën për një ritëm të ri.

“Lezha si një qark me rëndësi për shkak të potencialit turistik dhe zhvillimeve ekonomike, ka mjaft sfida që duhen adresuar, prandaj kërkohet një temp i ri pune dhe arritje të qëndrueshme”, tha Ministri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA