Në Fier punonjësit e ndërmarrjes së pastrimit dolën në protestë për pagat e ulëta dhe kushtet e vështira të punës.
Ata u shprehën të zhgënjyer, që bashkia e Fierit nuk i përfshiu. Këtyre punonjësve me paga minimale nuk iu respektohen as të drejtat që sanksionon kodi i punës, pasi detyrohen të punojnë edhe gjatë fundjavave.
Një tjetër shqetësim që kanë janë mjetet e vjetruara me të cilat punojnë, shpesh jo funksionale, duke i detyruar të mbledhin mbetjet urbane dhe inerte me duar.
Punonjësit treguan se para gjashtë muajsh u ishte premtuar rritje pagash, por deri më sot Bashkia e Fierit nuk ka bërë asnjë ndryshim. Një vendim i fundit i Këshillit Bashkiak i marrë nga të majtë e të djathtë, dyfishoi pagën e kryebashkiakut Armando Subashi e cila u dyfishua në 2 milionë e 900 mijë lekë të vjetra, për nënkryetarët deri në 1 milion e 26 mijë lekë të vjetra, drejtorëve të drejtorive dhe atyre të njësive administrative, por harruan këta punonjës që mbajnë shpirtin gjallë me atë pagë.
Të indinjuar ata zgjodhën të protestojnë për të kërkuar paga dhe kushte më të mira pune. Deri tani, Bashkia e Fierit nuk ka reaguar për këtë situatë. Ndërsa punonjësit paralajmërojnë se do të vijojnë protestat nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
Top Channel