Kurrata Ayuni besohet se është drejtuesja e parë femër e një kafeneje në qendrën e provincës më konservatore të Indonezisë, teksa thotë se kërkon të sjellë një alternativë ndaj kafeneve të burrave, të rrëmujshme e të mbushura me tym duhani.
28-vjecarja që drejton barin ‘Morning Mama’ thotë se po krijon një hapësirë për femra në Banda Aceh, i njohur gjithashtu si “Qyteti i 1,001 kafeneve”.
“Mendova përse të mos ketë një hapësirë ku gratë të ndjehen rehat?” thotë Ayuni teksa baristet e saj femra mbushin kupat për klientët, kryesisht gra të mbuluara me shami koke.
Në barin e saj gjen gjithashtu libra e lodra fëmijësh dhe artikuj kujdesi për gratë.
“Kalova procesin personal të ndërtimit të vetëbesimit dhe nuk jam më hezituese. Këtu në Banda Aceh, gratë ende stigmatizohen kur duan të zhvillojnë veten e tyre, pasi shumë mendojnë se ato duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos punojnë”.
“Në të kaluarën gratë nuk mund të dilnin nga shtëpia pas orës 21.00 kështu që kur njerëzit shikojnë këtu një grua në mbrëmje, supozojnë se nuk është grua e moralshme, por lokali ynë Morning Mama mbyllet në 23.00 për shembull dhe punonjëset duhet të qëndrojnë. Shpresojmë që kjo të largojë paragjykimin”, tha menaxherja.
Një prej klientëve, studentja Meulu Alina, tha se ndjehej më e qetë kur porosiste nga një bariste femër.
“Nuk e di por jam më e lirshme kur porosis nga një bariste femër, nuk jam nervioze as për ta pyetur më tej për ingredientët, është sikur pyet një të afërmin tënd, është një komunitet e afërt”, thotë Alina për rrjetin AFP.
Top Channel