Kryeministri laburist Keir Starmer u quajt sot ‘burracak’ nga qindra fermerë që qëndruan jashtë sallës së konferencës laburiste në Uells, në protestë ndaj ‘taksës së trashëgimisë’ të shtuar së fundmi në buxhetin e ri.
Teksa Starmer mbronte planin e tij të buxhetit në konferencën në Llandudno, fermerët protestonin jashtë ndërtesës duke brohoritur kundër taksave të trashëgimisë dhe te tjera të shpallura së fundmi nga qeveria laburiste, e cila i shtohet një serie masash të tjera shtrënguese ndaj prodhimit bujqësor.
Karvani i fermerëve kishte rrethuar ndërtesën e konferencës dhe kryeministri u detyrua të dilte nga prapa i shoqëruar nga policia, mes thirrjeve diskredituese të protestuesve.
Gjatë gjithë kohës fermerët e zemëruar u binin borive të traktorëve për të siguruar që të dëgjoheshin nga pjesëmarrësit në konferencën e kryeministrit.
Grupi uellsian që organizonte protestën ‘Digon yw Digon’ – që do të përkthehej “Mjaft do të thotë mjaft” tha se “qeveria nuk po punon për ne dhe as nuk na dëgjon”.
Drejtuesi i fermerëve Gareth Wyn Jones tha: “Ai iku fshehurazi. Nuk kishe mirësjelljen për të dalë të fliste, dhe nuk përmendi asgjë për bujqësinë e ushqimin në fjalimin e tij”.
“Ky është një veprim prej burracakësh, sepse këta njerëz kanë ardhur këtu që prej fermave të tyre”.
Një grua protestuese tha teksa kalonte autokolona e kryeministrit: “Ai iku fshehurazi nga prapa, nuk përballet dot me ne, njerëzit që e kemi votuar. Nuk e mendoja kurrë se do të vinte dita kur fermerët do të provokoheshin në këtë mënyrë. Politikanët duket se nuk e kuptojnë se nëse nuk ka fermerë nuk ka ushqim”.
Mes pankartave të shfaqura në protestë shkruhej ‘laburistët i kanë duart me gjak’, ‘Laburisët i shpallin luftë bujqësisë’ dhe ‘pa fermerë s’ka ushqim’.
Zhvillimi vjen pas ngritjes së një serie taksash për fermat me vlerë mbi 1 milionë paundë, dhe justifiimeve ku e bazonte qeveria këtë ngritje taksash.
Keir nuk përmendi politikat e taksave në fjalimin e sotëm por tha se do të mbrojë “vendimet e ashpra” të marra nga qeveria, shkruan Daily Mail.
Top Channel