Gjermania, i vetmi vend që i ka braktisur plotësisht centralet e saj bërthamore, duket po kthen mendje.
Në Berlin ka nisur të diskutohet mundësia e rinisjes nga puna të centraleve bërthamore, dhe kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), nuk e konsideron iracionale një gjë të tillë. “Mendoj se është logjike. Është një pozicion racional”, deklaroi Rafael Grossi duke kujtuar se Gjermania është i vetmi vend në botë që ka eliminuar plotësisht këtë lloj energjie.
“Duhet të pyesni veten: Pse pjesa tjetër e botës i sheh gjërat ndryshe? Unë respektoj politikën gjermane dhe ato po kalojnë një fazë shumë komplekse. Në këtë këndvështrim, duhet ta shohim edhe ne.
Prandaj dhe nuk jam i befasuar që ka një debat të ri për kthimin në energjinë bërthamore, e cila nuk lëshon pothuajse asnjë gaz serrë. Kjo është dhe arsyeja pse vendet që kanë energji bërthamore duan më shumë energji bërthamore“- shprehet Rafael Grossi, kreu i IAEA
Grossi shtoi se Gjermanisë së pari do t’i duhet një vlerësim rigoroz, nëse dhe si mund të rikthehen në rrjet centralet e saj. Javën e kaluar grupi CDU në Bundestag kritikoi koalicionin aktual të qendrës së majtë për mosndalimin e braktisjes së energjisë bërthamore në vitet 2022 dhe 2023.
Sipas një artikulli të botuar në 2024 në Gazetën Ndërkombëtare të Energjisë së Qëndrueshme, Gjermania mund të kishte kursyer qindra miliarda euro dhe të reduktonte emetimet e saj të karbonit deri në 70%, nëse do të kishte përshtatur energjinë bërthamore në vend që ta refuzonte atë.
Top Channel