“Për Shqiptarët”
Florda është 37 vjeç. Kanë kaluar 5 vite që prej natës që djali i saj nisi të shfaqte probleme shëndetësore, e ajo ende e mban mend si të kishte qenë dje.
Ishte nata e Vitit të Ri, ajo me bashkëshortin e dy fëmijët e vegjël, Kristi 9 vjeç e Fabi 3 vjeç, ishin ulur në tryezë për të ngrënë e për të festuar ardhjen e një viti të ri, të begatë e me shëndet të mirë, si ai që po linin pas.
Dhoma e ndenjes gumëzhinte nga zhurmat, fëmijët qeshnin, bërtisnin e kërkonin vëmendjen e prindërve për historitë që iu tregonin. Papritur Florda vë re se sytë e djalit të saj të madh po humbisnin fuqinë. Ai nisi të ankohej se shikimi po i dobësohej, shihte dy figura të zeza të cilat e pengonin të shihte qartë.
Florda dhe bashkëshorti e dërguan Kristin te okulisti për të bërë një vizitë, por aty zbuluan se problemi ishte shumë i madh. Për 11 ditë, Kristi ka bërë shumë analiza e kontrolle deri sa doktorët morën diagnozën e saktë. Ai kishte tumor.
E futën menjëherë në sallë për të bërë një ndërhyrje. Çdo gjë shkoi me sukses, deri pas 5 ditësh kur fuqitë e Kristit të vogël nisën të bien. Florda ishte çdo ditë te koka e krevatit ku ai qëndronte i shtrirë, i rrinte afër dhe me merakun që nuk i hiqej në asnjë moment, lutej që djali të shërohej sa më shpejt e t’i kthehej jetës së tij të mëparshme.
Por sprovat për ta nuk kishin mbarim. 5 ditë pas ndërhyrjes, Kristi pëson një vdekje klinike. Florda ishte te dera e dhomës kur doktorët erdhën me vrap e po përpiqeshin të sillnin në jetë të voglin e saj. Ajo dëgjonte doktorët që bërtisnin ‘Jepi se po na ikën’ dhe mendoi se aq ishte. Çdo gjë u errësua dhe nuk po dëgjonte më as zërat e doktorëve. Nisi t’i binte murit me kokë sepse nuk arrinte më as të mendonte… Çfarë mund të bënte që djali të shpëtonte e të rikthehej edhe një herë te ajo?
Pas shumë përpjekjeve, doktorët ia dolën që ta stabilizonin dhe Kristi nisi seancat e kimioterapive. Ai bëri 25 seanca, qëndroi në spital 3 muaj dhe gjatë gjithë kësaj kohe Florda nuk u shkëput kurrë nga koka e tij. I qëndronte pranë sepse kishte merak se po të largohej, djalit do i ndodhte diçka. Nëse ajo rrinte aty dhe nuk ia hiqte sytë asnjë moment, ai do bëhej mirë.
Pas 3 muajve të gjatë u rikthyen në shtëpi. Djali i vogël e kishte harruar nënën e tij e nuk i afrohej. Shtëpia dukej si e huaj. Pak nga pak, Florda nisi ta rikthente çdo gjë ashtu siç kishte qenë. E megjithatë prapë nuk gjetën qetësi.
Dy vite më vonë Kristi u sëmur përsëri… Doktorët i thanë Flordës se nuk kishin më asgjë në dorë. Duhet ta dërgonin jashtë Shqipërisë sepse tani për djalin e saj kishte vetëm 1 për qind shpresë. Edhe sot kur e kujton ndjesinë e asaj dite, Flordës i dridhet trupi. Ishte e pashpresë për t’i ardhur në ndihmë djalit të saj dhe nuk dinte se ku të drejtohej.
Drita në fund të tunelit për të u bë një i afërm i cili i lidhi me fondacionin Firdeus. Kristi është dërguar me urgjencë jashtë e ka qëndruar në spital për 5 muaj deri sa doktorët i thanë se tani mund të ktheheshin përsëri në shtëpi. Çdo ditë ai qante, numëronte ditët, minutat e sekondat deri sa të kthehej përsëri te vëllai.
Kristi ka kryer 9 operacione për t’i shpëtuar sëmundjes dhe për çdo dhimbje që ai ka ndjerë, Florda e ka ndjerë 10 herë më shumë. Pavarësisht çdo loti që ka derdhur, pasi djali i saj përfundoi të gjithë kurimin, ajo më në fund ndjeu se pas shumë vitesh në errësirë, tani po shihte përsëri dritë.
Pasioni më i madh i Kristit ka qenë kuzhina e tani ai është duke ndjekur një kurs gatimi për të realizuar ëndrrën e tij që një ditë të jetë një chef i njohur në mbarë botën. E mësimi më i madh që ka marrë është se ‘Në jetë, ashtu si në kuzhinë, mjafton të gjesh përbërsit e duhur – dashuri, shpresë dhe kurajë – e mund të jesh shumë i lumtur.’
Top Channel