Turku që furnizonte me gomone trafikantët në Francë arrestohet në Amsterdam (fotot)

14/11/2024 17:05
44-vjeçari nga Turqia u arrestua teksa mbërriti në aeroportin holandez Schiphol

Një nga furnizuesit kryesorë të gomoneve për trafikantët e emigrantëve në ngushticën drejt Anglisë, është arrestuar dje në Amsterdam, njoftonin zyrtarët e agjencisë Eurojust.

44-vjeçari nga Turqia u arrestua teksa mbërriti në aeroportin holandez Schiphol dhe pritet të ekstradohet drejt Belgjikës për t’u përballur me akuzat e trafikut njerëzor dhe të pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal.

I dyshuari furnizonte me gomone dhe motorë trafikantët e ngushticës drejt Anglisë, shumë prej të cilave vinin nga Turqia, magazinoheshin në Gjermani e më pas transportoheshin në jug të Francës, shkruan rrjeti britanik The Guardian.

Arrestimi vjen pas një operacioni të gjerë të hetuesve në Britani, në Holandë e Belgjikë.

Përfaqësuesi britanik i agjencisë Rob Jones, tha: “Arrestimi shënon një arritje domethënëse në luftën kundër trafikut dhe krimit të organizuar të emigracionit. Ne dyshojmë se individi është një furnizues madhor i barkave dhe motorëve, për trafikantët që operojnë në Belgjikë dhe veri të Francës.

Kryeministri britanik Starmer gjithashtu vlerësonte zhvillimin dhe refuzonte pretendimet se arrestimet e trafikantëve dhe ndihmësave të tyre janë të kota pasi ata shpejt zëvendësohen nga të tjerë.

Starmer ka anulluar planin e Rishi Sunak për qendrat e emigrantëve britanikë në Ruanda si dhe sloganin e tij “ndaloni gomonet”, dhe ka nisur atë që quan strategji të re të “shkatërrimit të bandave” të trafikut.

Ndërkohë emigracioni i jashtëligjshëm vijon pa ndërprerje drejt Britanisë.

Vetëm këtë vit, më shumë se 50 njerëz kanë vdekur duke tentuar të kalojnë ngushticën drejt Britanisë, ndërsa brenda shtatë ditëve të fundit kanë mbërritur me gomone 1,300 emigrantë të jashtëligjshëm, sipas shifrave qeveritare.

Operacioni për arrestimin e turkut u koordinua nga Europol me ndihmën e Eurojust, të cilët thonin në një deklaratë: “Bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor për kapjen e  eksponentëve të trafikut njerëzor, pasi ata nuk janë të ndarë me kufij” , shkruan The Guardian.

FOTO GALERI
2/3
Arrestimi vjen pas një operacioni të gjerë të hetuesve në Britani, në Holandë e Belgjikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA