Në ditën e dytë të panairit të librit, Pallati i Kongreseve gëlon nga numri i lartë i vizitorëve e veçanërisht fëmijëve që zgjedhin këtë event të rëndësishëm të kulturës për t’u njohur me librin, por çfarë preferojnë të lexojnë lexuesit shqiptarë?
“Romani dramatik, historitë njerëzore, prekëse, ajo që tipikisht quhet letërsi komerciale pëlqehet. Romanca pëlqehen goxha”, shprehet Loreta Bërhami.
“Librat që bëjnë bujë janë ata libra që sapo kanë dalë apo kanë një histori, por edhe libra që flasin për fakte të vërteta. Njerëzit pastaj ndjekin edhe autorët”, thotë Arlinda Dudaj.
“Ka një interesim pothuajse të të gjitha moshave për të gjitha zhanerat e letërsisë, duke përfshirë nga biografitë te letërsia e huaj dhe deri te letërsia vendase”, u shpreh Bashmir Xhemaj.
Nga librat me ilustrime te letërsia klasike, lexuesit e vegjël kanë shfaqur interes të lartë për Panairin.
“Moshat e vogla kanë dëshirë të kenë sa më tepër figura, sa më tepër ngjyra dhe pastaj vijnë shumë fjalë që i shoqërojnë”, thotë Bujar Kapexhiu.
“Ka fëmijë të moshave 7-8-9 që kanë filluar të tërhiqen edhe nga klasikët. Pastaj kemi adoleshentët që kërkojnë histori me frikë, aventura, romancë”, shton më tej Loreta Bërhami.
“Shoh shumë të rinj, megjithëse platformat e ndryshme online që përdorin, ndjehet që duan ta kenë në dorë librin, ta shfletojnë e të ndjejnë muzikalitetin e faqeve të tij”, tha Vasilika Tafa.
Ndër sfidat më të mëdha mbeten libri shqip përballë letërsia së huaj që po përqafojnë fëmijët dhe të rriturit.
“Libri shqip lëngon për disa arsye, sepse një pjesë e shqiptarëve janë larguar nga Shqipëria, por edhe sepse një pjesë ka filluar lexon anglisht”, vijoi Loreta Bërhami.
“Është tjetër kur lexon në gjuhën e nënës. Kur je në Shqipëri, më duket absurde që fëmijët të flasin gjuhën e huaj apo t’u ofrosh libra në gjuhë të huaj”, thotë Rita Petro.
Deri të dielën, Panairi i 27-të i librit do të jetë i hapur nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 20:00 të mbrëmjes.
Top Channel