Anna Wiebe u zhvendos në Shtetet e Bashkuara nga Ukraina 25 vjet më parë. Pas fillimit të agresionit rus në vitin 2022, katër nga të afërmit e saj në Ukrainë u larguan nga vendi dhe iu bashkuan asaj.
Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Rafael Saakov, ata u vendosën në Karolinën e Veriut, shtet i cili u godit rëndë nga uragani Helene disa muaj më parë.
“Këtu mbillnim kunguj, borzilok, hudhra dhe shumë lloje të ndryshme erëzash dhe zarzavate. Madje edhe patate.”
Ana Wiebe, me origjinë nga Ukraina, ka jetuar në Karolinën e Veriut për më shumë se 20 vjet. Pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë në vitin 2022, nëna, motra e saj bashkë me djalin dhe bashkëshortin erdhën të jetonin me të.
Por kur uragani Helene shkaktoi përmbytje masive në fund të shtatorit, pjesëtarë të familjes ukrainase ishin në mesin e mbi 100 banorëve që humbën jetën në Karolinën e Veriut.
“Rrëke të mëdha uji vinin nga të gjitha anët. Ishte e pamundur që ata të futeshin në pyll. Bëmë përpjekje por niveli i ujit ishte i lartë. Nuk shihja shtëpinë, do ta kisha parë po të ishte aty. U ndjeva e mpirë. E kuptova që i ka marrë përmbytja”, tregon për Zërin e Amerikës, banorja Anna Wiebe.
Banesa ku jetonin ata gjendej në bregun e lumit “South Toe” derisa përmbytja e mori me vete.
“Këtu ka përmbytje dhe banesa ishte ngritur me blloqe betoni 1.5 metra mbi tokë. Ishte një vend i bukur, po jo më”, tregon zonja Wiebe.
Grupet e kërkimit gjetën trupat e motrës së saj 42 vjeçare dhe bashkëshortit të saj. Ndërsa trupi i nënës së sëmurë 73 vjeçare, të mbetur në shtrat dhe nipit 13 vjeçar, nuk u gjetën kurrë.
“Jam e trishtuar sepse ata ikën nga Khersoni në Ukrainë dhe kaluan vështirësi të mëdha për të arritur këtu. Shumë njerëz i ndihmuan ata rrugës por unë nuk munda t’i mbaja të sigurt këtu, ndoshta është faji im”.
Kati i parë i shtëpisë u përmbyt plotësisht, u thyen dritaret dhe një mur u shemb nga uji i rrëmbyer. Ndërsa përpiqeshin të shpëtonin nga përmbytjet, ajo mendonte për nënën dhe familjen e motrës, por telefonat nuk punonin. Ajo kujton se si nëna i kishte kërkuar që trupi i saj të prehej në Ukrainë.
“Kohët e fundit mamaja kishte mbetur në shtrat dhe më tha se kur të ndërronte jetë, hiri i trupit të saj të hidhej pak këtu dhe pjesa tjetër në Ukrainë”.
Sipas vlerësimeve, stuhia ka shkaktuar dëme që kapin vlerën e mbi 50 miliardë dollarëve në të gjithë shtetin. Zonja Wiebe shpreson për ndihmë dhe ka hapur një faqe interneti ku kërkon ndihmë për rindërtimin e shtëpisë së saj. Deri tani ka mbledhur mbi 44,000 dollarë… por asgjë nuk do ta kthejë familjen e saj.
Top Channel