Azerbajxhani i njohur si vendi i naftës, organizon këtë radhë konferencën e OKB-së për klimën. COP 29 mbahet në Baku në një kohë kur kreu i shtetit atje është duke nxitur masivisht investimet në naftë e gaz, teksa vazhdon dhuna ndaj kundërshtarëve politikë.

Ky është vendi ku komuniteti ndërkombëtar është mbledhur për COP29, për të diskutuar krizën klimatike dhe të drejtat e njeriut dhe për të negociuar financimin e drejtë të mbrojtjes globale të klimës.

Si mikpritës dhe negociator, Azerbajxhani thotë se dëshiron të punojë drejt qëllimeve të Marrëveshjes së Parisit për Klimën: pajtueshmërinë me objektivin 1.5 gradë, më shumë mbrojtje klimatike, transparencë, mbështetje financiare për vendet në zhvillim dhe drejtësi për klimën. Tradicionalisht shteti organizues luan një rol ndërmjetësues midis 196 vendeve pjesëmarrëse në konferencën për klimën.

Por presidenti azer, Ilham Aliyev, e ka bërë tashmë të qartë se ku mund të qëndrojnë prioritetet e tij në tryezën e bisedimeve të konferencës për klimën. “Fakti që ne kemi rezerva nafte dhe gazi nuk është faji ynë. Është një dhuratë nga Zoti,” qe shprehur ai në muajin prill në Dialogun e Klimës në Berlin. Aliyev duket se ka në plan të mbrojë të drejtën e vendeve për të investuar dhe promovuar lëndët djegëse fosile, për të çuar përpara prosperitetin e vendit të tij dhe për të luftuar varfërinë, vazhdoi Aliyev. Energjia elektrike e mikpritësit të COP-it përbëhet nga 93 për qind lëndë djegëse fosile.

Në analizën e Climate Action Tracker, një aleancë e organizatave të ndryshme joqeveritare, Azerbajxhanit i jepet vlerësimi më i keq për mbrojtjen e klimës – në të njëjtin nivel me vendet prodhuese të naftës, Arabinë Saudite, Rusinë dhe Iranin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA