Ministri për Çështje Evropiane në Maqedoninë e Veriut, Orhan Murtezani, thotë se Raporti i Progresit i këtij viti, i dorëzuar nga Komisioni Evropian një javë më parë, rikonfirmon se Maqedonia e Veriut është e përgatitur të avancojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, ai theksoi se vendi duhet të jetë i vetëdijshëm që integrimi në BE është më shumë se “përmbushje e standardeve teknike”.
Deklaratat e Murtezanit erdhën gjatë një ngjarjeje të organizuar nga Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup, të titulluar “Perspektiva për një të ardhme të përbashkët, dhe Marrëdhëniet BE-Turqi”. Në këtë ngjarje morën pjesë edhe ambasadorët e Hungarisë dhe Turqisë në Maqedoninë e Veriut, Andras Klein dhe Fatih Ulusoy.
“Ne kemi hyrë tashmë në një fazë kyç të adresimit të kritereve fillestare për kapitullin e parë mbi sundimin e ligjit dhe parimet themelore. Për më tepër, kemi paraqitur harta rrugore që adresojnë reformat në drejtësi, të drejtat e minoriteteve dhe reformat e administratës publike. Secila prej tyre është një qëllim, ashtu edhe një angazhim, që demonstron kapacitetin tonë për të ndërmarrë ndryshime të qëndrueshme e të vërteta”, tha Murtezani.
Për rrjedhojë, kapitulli i parë që përmendi ministri Murtezani përfshin reforma thelbësore në fusha si demokracia, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, si dhe përmirësimi i transparencës dhe lufta kundër korrupsionit. Për hapjen e këtij kapitulli janë përcaktuar dy kushte kryesore: përmbushja e vlerave themelore dhe përgatitja e udhërrëfyesit për sundimin e së drejtës, si dhe përgatitja e udhërrëfyesit për reformën në administratën publike.
Ambasadori i Hungarisë, Andras Klein, shteti i të cilit ka kryesimin e presidencës së BE-së nga 1 korriku i këtij viti, vlerësoi përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për të përmbushur kriteret e anëtarësimit, duke përmendur agjendën e reformave si një shembull që i mundëson vendit përfitime të konsiderueshme financiare nga Plani i Rritjes së BE-së.
Në anën tjetër, ambasadori i Turqisë, Fatih Ulusoy, theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe BE-së dhe mbështeti procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
“Turqia është e angazhuar për të mbështetur Ballkanin Perëndimor në rrugën e tij evropiane”, tha ambasadori turk, duke shtuar se marrëdhëniet me Bashkimin Evropian janë thelbësore për një të ardhme të qëndrueshme dhe të përbashkët, por shtoi se “BE-ja nuk duhet të lejojë që interesat strategjike të saj të dëmtohen nga disa shtete anëtare që abuzojnë me solidaritetin e anëtarësimit dhe të drejtën e vetos”.
Top Channel