I rrethuar nga policë, mbulon prangat me xhup/ Ish ministri Beqaj shkon të dëshmojë në Komisionin e Sterilizimit

12/11/2024 10:34

Ish ministri i Shëndetësisë, Ili Beqaj ka lënë qelinë dhe do të dëshmojë në Komisionin Hetimor të Sterilizimit dhe Check Up-it.

Ai ka hyrë i rrethuar nga forca të shumta policisë, ndërsa ka hequr xhupin për të mbuluar prangat.

Beqaj është i akuzuar për çështjen e Sterilizimit së bashku me ish-zëvendës/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj dhe 6 të tjerë.

Ish-zv-ministri Klodian Rrjepaj dhe përfituesi i koncesionit Ilir Rrapaj janë në pranga që prej gushtit të vitit të kaluar.

Beqaj u arrestua më 4 korrik të këtij viti për një çështje tjetër, ku dyshohet se ka abuzuar me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, gjatë kohës kur ishte në krye të këtij institucioni.

Ish-ministri i është i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit, ku më 18 mars iu komunikua edhe akuza shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim.

Beqaj mori postin e kreut të Agjencisë në nëntor të vitit 2022 dhe dha dorëheqjen në nëntor të vitit të kaluar, kur Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion nisi ndaj tij hetimet për koncesionin e Sterilizimit.

Nën hetim janë edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të komisionit të koncesionit të sterilizimit.

Kujtojmë se biznesmeni Ilir Rrapaj dëshmoi për disa orë në komisionin hetimor, ndërsa ish-zëvendës ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj më 20 shtator.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA